|
|
Përshëndetje të gjithëve!
Unë jam Agim Kuleta, Përgjegjës për Marrëdhënie me Publikun i Lëvizjes për Bashkim. Avni Klinaku Kryetar i LB-së dhe Sabit Gashi, Përgjegjës për Organizim.
Në fillim dua t’ju falënderoj për ardhjen tuaj në këtë konferencë. Kjo është konferenca e parë për media e Lëvizjes për Bashkim dhe qëllimi i kësaj konference mund të profilizohet përmes dy momenteve. I pari është njoftimi i drejtpërdrejtë për formimin e këtij subjekti politik dhe njëkohësisht vendosja e kontakteve me ju dhe i dyti, shpalosja e orientimit tonë programor lidhur me çështjen e pazgjidhur shqiptare si dhe shprehja e qëndrimeve tona lidhur me situatën politike në përgjithësi apo momente të caktuara politike në kuadër të kësaj situate.
Unë këtë takim të parë me ju më me kënaqësi do ta quaja një FIRST DATE se sa një FIRST MEETING. Sepse mendoj që lidhjet tona në të ardhmen duhet të intensifikohen vazhdimisht dhe të jenë më të ngushta se sa zyrtare, pra të jenë lidhje miqësore dhe raporte bashkëpunimi të ngushtë. Ne e konsiderojmë median si një nga shtyllat kryesore të shoqërisë me përkrahjen e të cilës mund të bëjmë çudira me këtë shoqëri ndërsa me mospërkrahjen e të cilës mund të mbesim vetë çudia e kësaj shoqërie.
Lëvizja për Bashkim është themeluar në mbledhjen e Këshillit Nismëtar më 20 korrik 2007. Dalja e këtij subjekti në skenën politike nuk është produkt i situatës së sotme politike por nevojë e një angazhimi për ta zgjidhur drejt një çështje të vjetër kombëtare e që është çështja shqiptare. Ne nuk pretendojmë se jemi të parët dhe të vetmit që do të punojmë që ëështja shqiptare të shtrohet drejt për zgjidhje dhe të zgjidhet por jemi të bindur se jemi ndryshe nga të tjerët.
Tani më lejoni që t’ia jap fjalën Kryetarit të Lëvizjes për Bashkim z.Avni Klinaku për të shpalosur pikëpamjet tona.
|
|