| |
 |
|
Fjala përshëndetëse - Avni Klinaku
Të nderuar të pranishëm,
Ju përshëndes dhe ju falënderoj për pjesëmarrje në Kuvendin e parë të Lëvizjes për Bashkim.
Meqenëse ky është Kuvendi ynë i parë dhe sidomos meqenëse është ky Kuvend është themelues, e shoh të arsyeshme t’i them disa fjalë për arsyen e organizimit tonë.
Populli shqiptar edhe pas luftërave të shumta që zhvilloi për çlirimin e truallit të tij, edhe pas luftërave të fundit, si në Kosovë, si në Maqedoni, si në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, edhe pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, edhe pas përkrahjes kombëtare që iu bë kësaj shpalljeje, edhe pas euforisë që u shfaq me këtë rast, – mbetet ende në udhëkryqet e historisë, mbetet ende një popull me çështjen kombëtare të pazgjidhur.
Territori ku jetuan historikisht shqiptarët erdhi vazhdimisht duke u tkurrur, për të arritur në ditët e sotme në gjendjen që tanimë e dimë e që mund të përmblidhet me pak fjalë: populli shqiptar mbetet i copëtuar në pesë shtete, pa të drejtë të vendosë për fatin e tij, pa të drejtën elementare të kombeve: të drejtën për vetëvendosje deri në shkëputje.
Në luftërat e popujve për liri çështje shumë e rëndësishme, në mos nga çështjet e dorës së parë, është çështja e shtruarjes së drejtë të problemit dhe gjetja e rrugës së duhur për zgjidhjen e tij.
Kjo përbën arsyen e parë dhe njëkohësisht qëllimin kryesor të përpjekjeve tona për organizim dhe materializimin e pikëpamjeve tona në lidhje me çështjen e zgjidhjes së këtij problemi.
Lëvizja për Bashkim mendon se kjo çështje më së miri zgjidhet përmes parimit të njohur – vetëvendosjes së kombeve deri në shkëputje. Në kuadër të kësaj të drejte, Lëvizja për Bashkim do të punojë për bashkimin e popullit shqiptar në një shtet të vetëm si zgjidhje përfundimtare e çështjes shqiptare.
Zgjidhja e kësaj çështjeje është kusht i domosdoshëm për stabilizimin e situatës politike në Ballkan dhe njëherësh përbën premisën për zhvillim ekonomik të truallit shqiptar, e rrjedhimisht edhe ngritjen e mirëqenies së popullit në përgjithësi.
Qëllimi i dytë i organizimit tonë është jeta e përditshme e qytetarit dhe qeverisja.
Të gjitha qeverive të deritashme në Kosovë, duke përfshirë këtu edhe Qeverinë e Përkohshme, nuk iu ka interesuar fare gjendja e qytetarit të thjeshtë. Për qytetarin ato janë kujtuar vetëm kur u janë dashur paraja dhe vota e tij. Me paranë, votën dhe jetën e tij në përgjithësi është abuzuar në mënyrë të pamëshirshme. Si rrjedhojë kemi një jetë shoqërore të degraduar në çdo aspekt dhe në të gjitha sferat e kësaj shoqërie.
Qeverisja tek ne karakterizohet me një papërgjegjësi, paaftësi, servilizëm e snobizëm të padurueshëm;
Ekonomia me anarki e korrupsion;
Jeta sociale me varfëri të skajshme, papunësi e paperspektivë;
Arsimi e shëndetësia janë në një gjendje të mjerueshme;
Jeta kulturore e shpirtërore e popullit karakterizohet me një degradim të plotë moral, e kështu me radhë...
Si pasojë e kësaj gjendjeje ne sot kemi një zhgënjim të qytetarit jo vetëm në këtë apo atë qeveri, por në qeverisjen në përgjithësi.
Lëvizja për Bashkim do të punojë që ky besim i humbur i qytetarit të kthehet pikërisht duke e bërë atë zot të jetës dhe vendit të tij.
Pra, bashkimi i popullit shqiptar në një shtet të vetëm, si dhe jeta e përditshme e qytetarit janë dy arsyet dhe qëllimet kryesore të organizimit të Lëvizjes për Bashkim, të cilat pres që sot të kthehen në program politik.
Duke ju falënderuar për vëmendjen, edhe një herë ju falënderoj për pjesëmarrje në këtë kuvend. |
|