Kumtesë për media
Themelohet Këshilli Organizativ i Protestave kundër burgosjes së Albin Kurtit
Njoftojmë qytetarët e Kosovës se është themeluar Këshilli Organizativ i Protestave kundër burgosjes së Albin Kurtit. Ky Këshill do të merret me organizimin e një varg protestash të formave të ndryshme të cilat për synim kanë sensibilizimin e opinionit publik për dëmet dhe rrezikun që po i shkaktohet jetës publike në Kosovë përmes përndjekjes së padrejtë që po i bëhet aktivistit të Lëvizjes VETËVENDOSJE! - Albin Kurtit. Këshilli mëton të jetë pikë bashkuese e organizatave personaliteteve dhe qytetarëve të cilët nuk do ta durojnë padrejtësinë e pushtetit aktual në Kosovë (ndërkombëtar e vendor) kundër mendimit ndryshe.
Këshilli, si nismë qytetare, konsideron se burgosja dhe izolimi i Albin Kurtit është kryekëput politike, dhe, si e tillë, absolutisht e papranueshme . Po ashtu ne konsiderojmë se ky mospajtim qytetar duhet të shprehet përmes protestave në mënyrë që t’i dërgohet porosia UNMIK-ut dhe sistemit të tij gjyqësor se jemi të vendosur që ta kemi një Kosovë pa gjyqësor politik dhe pa politikanë gjykatës. Angazhimi kundër burgosjes dhe izolimit politik të Albinit sot nënkupton angazhim kundër burgosjes për qëllime politike në përgjithësi.
Burgosja dhe mbajtja nën arrest e Albinit është vazhdimësi e një politike e cila qëllim përfundimtar ka ndalimin e formave legale dhe te ligjshme të veprimit e protestës si formë e shprehjes së pakënaqësisë. Albini është duke u mbajtur nën arrest si organizator i demonstratës së 10 shkurtit e kjo do të thotë se kushdo që organizon protestë apo demonstratë për ta ngritur zërin kundër politikës aktuale rrezikon të burgoset dhe izolohet. Burgosja e Albinit është sulm kundër lirisë së tubimit dhe shprehjes së lirshme të fjalës. Protestimi kundër kësaj burgosjeje është afirmim i së drejtës për protestë të mbrojtur me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut (Neni 11), si dhe mbrojtje e së drejtës për fjalën e lirë si e drejtë themelore e njeriut.
Për më tepër Albinit i është caktuar i njëjti panel gjykatësish i udhëhequr nga Maurizio Salustro. Ky panel dhe ky gjykatës i UNMIK-ut ia kishin ndaluar në mënyrën më të vrazhdë fjalën Albinit në seancën e fundit kundër tij, duke ia mohuar kështu Albinit madje edhe atë liri teorike që e mbrojnë vetë ligjet e UNMIK-ut.
Ftojmë të gjithë qytetarët dhe organizatat e interesuara që të na bashkëngjiten apo mbështesin në Këshill apo në aktivitetet e veçanta që do të organizohen nga Këshilli, si dhe të kontribuojnë me ide të reja për formën e protestave që duhen ndërmarrë.
Më poshtë i keni organizatat dhe individët të cilët janë të përfshirë në Këshillin Organizativ si dhe ata që marrin pjesë në të në cilësinë e mbështetësit.
Organizatat në Këshillin Organizativ:
Shoqata e të Burgosurve Politik (ShBP)
Bashkimi i Sindikatave të Pavarura (BSPK)
Unioni i Studentëve Shqiptarë (USSh)
Lëvizja VETËVENDOSJE!
Lëvizja për Bashkim (LB)
Iniciativa e Bashkuar Qytetare (Drenas)
Organizata ÇOHU! |
Individët në Këshillin Organizativ:
Muhamet Mavraj
Driton Lajçi
Sami Dërmaku
Sadri Fetiu
Sami Kurteshi |
Organizatat mbështetëse:
26 Marsi 1999
LPK
KMDLNJ |
Individët mbështetës:
Rexhep Qosja
Ali Aliu
Mehmet Hajrizi |
Këshilli Organizativ i Protestave kundër burgosjes së Albin Kurtit
31.10.2007 Prishtinë
|