Zhvendosja e banorëve të Malësisë së Bujanocit

    Në përkujtim të 9-vjetorit, kur nga fshatrat e Malësisë së Bujanocit banorët u zhvendosën në mënyrën më masovike, ku brenda 3 deri në 7 ditë këto fshatra u zbrazën tërësisht nga presionet e shumta të forcave serbe që t’i lëshojnë trojet e tyre. Ndodhi largimi i popullatës autoktone në mënyrën e detyrueshme nga kjo hapësirë, në format më të dhimbshme, sepse u shua një rajon i tërë, që nga mbiqyteti i Vranjës e deri te vendi i quajtur Guri Zi. Dita e mërkurë e 23 qershorit 1999, për banorët e fshatrave si Zarbica, Novosella, Suharna dhe Priboci do të kujtohet si një ditë e kobshme në gjithë historinë e asaj ane. Nuk kaluan më mirë as banorët e fshatrave të Bashkësisë Lokale të Muhocit si Ramabuqa, Qarri dhe Gjergjeci.
    Ku shtrihen këto fshatra të Komunës së Bujanocit?
    Fshatrat e cekur shtrihen në Malësinë e Gollakut, janë vendbanime tipike kodrinore-malore, të tipit të shpërndarë, me një lartësi mbidetare deri në 1300 metra siç është Maja e Shën Ilisë te Novosella mbi qytetin e Vranjës, Kitka te mëhalla e Liteshit dhe maja te Lisi i Çobanëve. Për banorët e kësaj ane flitet dhe shkruhet edhe në defterët e Perandorisë Turke, por edhe nga kohërat e lashta nga historianë, udhëtarë që përshkruan këto troje dhe zyrtarë të palëve të treta i pranojnë disa veçori të jetës dhe të folmes së kësaj popullate. Që nga mbiqyteti i Vranjës e deri te Guri i Zi, afër fshatit Tërstenë, që është më afër me shtrirje në katërkëndëshin e sotëm administrativ të Komunave të Kamenicës, Vranjës, Leskocit dhe Medvegjës. Popullata jo vetëm atëherë por edhe sot e kësaj dite identifikohen si Hashania e Epërme me fshatrat si Novosella, Suharna, Zarbica, Priboci, Ramabuqa, Qarri, Gjergjeci dhe Muhoci. Është një karakteristikë që besojmë se komunat e tjera nuk e posedojnë: fshatrat e cekura, për tu lidhur me Komunën së cilës i përkasin, së pari prej Muhocit duhet të hyjnë në Kosovë përmes Karaqevës e Rogoqicës dhe deri te vendkalimi i Dheut të Bardhë për të kaluar në Komunën e Bujanocit. Prapë për tu kthyer kështu duhet vepruar. Pra, është një rast unik i këtij lloji në botë: duhet të hyhet dy herë dhe dy herë të dilet në vendkalim kufitar, për të shkuar në Komunën që i përkasim. Kjo mënyrë e komunikimit me Komunën amë, është një ngarkesë shtesë, mjaft e çuditshme dhe absurde, por shumë e domosdoshme për të mbajtur lidhje pasi edhe jemi njësi administrative e Komunës së Bujanocit. Vlen të ceket se numri i banorëve sipas regjistrimit zyrtar të vitit 1948 vetëm për fshatin Zarbicë është 1244 banorë; po ashtu sipas regjistrimit zyrtar të vitit 1971 që organizoi RSFJ-ja vetëm nga fshati Zarbicë numri banorëve ishte 1433 banorë.
    Si filluan të zhvendosen banorët e Malësisë së Bujanocit?
    Sot, pas nëntë viteve, të gjithë të dëbuarit me mendime janë me ato ngjarje e storje të asaj kohe, pavarësisht ku gjenden dhe ku i kanë sjellë valët e jetës, që kanë kaluar nëpër situata të tmerrshme dhe të dhimbshme nga forcat e shumta të policisë dhe ushtrisë serbe. Banorët tregojnë për ngjarjet e tyre individuale, familjare por edhe si fshatra për vuajtjet e tyre. Që nga fillimi i bombardimeve të NATO-s kundër caqeve serbe, shumë banorë që ishin shpërngulur shumë më herët nga kjo pjesë për shkak të kushteve tejet të rënda, por me njëfarë mënyre u rikthyen prej Gjilanit prapë në fshatrat e tyre stërgjyshore, duke menduar se do të kalojnë më lehtë. Por jo. Përkundrazi! Kaluan si është më së keqi. Qysh më datën 27.04.1999 u bë një kontrollim i përgjithshëm në këto fshatra me pretekst të kërkimit të armëve dhe materialit të UÇK-së, ku me këtë rast pati të rrahur, të maltretuar në format më të rënda. Gjatë tërë muajit maj 1999 pati një keqtrajtim sistematik, duke futur një psikozë në mesin e popullatës, që me çdo kusht t’i lëshojnë trojet e tyre. Janë rrahur disa fshatarë duke punuar në arat e tyre, të tjerë që ishin duke ruajtur bagëtinë në fusha në fshatin Suharën dhe Novosellë. Por edhe janë thirrur në biseda se kinse është raketuar një aeroplan i NATO-s, kurse pilotin ju duhet ta gjeni se ku fshihet, apo pse e fshihni dhe këtë pilot duhet ta gjeni domosdo! Kjo nuk ishte e vërtetë, sepse edhe gjatë kësaj kohe në ato pjesë ishte vendosur edhe ora policore. Në këto anë jeta ishte vështirësuar mjaft, sepse fshatarët për gjërat më elementare jetësore nuk kanë guxuar të lëvizin fare nga shtëpitë e tyre. Ushtria nuk lejonte që edhe në varrime të grumbulloheshin më shumë se 4 veta, gjë e cila vështirësonte jetën në këto fshatra. Nuk pushonin përcjelljet, vëzhgimet edhe thirrjet në biseda të quajtura informative në shtabe të tyre të luftës të shumë veprimtarëve dhe kërkonin llogari për 15 ushtarët e UÇK-së, gjoja se strehoheshin në këto anë. Me rastin e hyrjes së forcave të NATO-s në Kosovë, duke u tërhequr forcat serbe filluan të stacionohen në Malësi të Bujanocit, duke e shfryrë epshin e tyre por edhe mllefin që e humbën Kosovën përfundimisht. Pas nënshkrimit të Marrëveshjes ushtarako-teknike në Kumanovë u krijua një shpresë e madhe që do të vijnë ditë më të mira, jo vetëm për Kosovën por edhe për fshatrat e Komunës së Bujanocit. Por shumë forca gjatë tërheqjes u stacionuan në këto anë. E mërkura e 23 qershorit 1999 ishte ditë e kobshme për ata banorë që sot e kujtojnë thellë duke u mërzitur e përlotur. Duke kujtuar ato skena e momente të rënda e aq të dhimbshme, por edhe me një shpresë se një ditë do të krijohen kushte për një kthim të qëndrueshëm. Në mbrëmjen e kësaj date para nëntë vitesh ishte kulmi i dhunës kundër banorëve: i kishin lëshuar shtëpitë e tyre. Nuk mund të duronin më tepër; ia kishin mësyer të kalojnë në fshatrat më afër Kosovës, por edhe kanë marrë rrugën për në Gjilan e gjetkë. Të gjithë banorët shprehen edhe sot me lot në sy për vuajtjet e tyre, për ikjet e tyre nëpër male, sepse nëpër shtëpi nuk guxuan të kthehen. Janë keqtrajtuar shumë fshatarë, veçmas më tepër ata që nuk kanë pranuar t’i lëshojnë shtëpitë e tyre. Janë maltretuar edhe fëmijët, gratë dhe pleqtë në moshë, si rasti i Kamerit të Sahitit 85 vjeçar nga fshati Suharën; po nga i njëjti fshat edhe Megjidi i Hazirit të Ymerit, ku si pasojë e dhunës së rëndë mendore dhe fizike pas disa muajsh kërkoi edhe ndihmën e mjekut, menjëherë u shtri në spital për kurim dhe pastaj në Gjilan edhe vdes. Kurse forca serbe nga më të ndryshmet lëviznin në shumë anë; sikur ushtonte Malësia nga gumëzhimat e ushtrive, banorët nxirrnin ofshamën e fundit që po dëboheshin dhe që detyroheshin t’i lëshonin trojet e tyre kundër dëshirës dhe vullnetit të tyre. Në tërë këtë rrëmujë të paparë ndonjëherë nuk ndenjën duarkryq as aktivistët e këtyre fshatrave, duke e njoftuar edhe kryetarin e KK të Bujanocit të asaj kohe dhe organet tjera Komunale të Bujanocit, por nuk mundën të ndikonin në qarqet e larta ushtarake e policore. U arrit plani në tërësi i qarqeve të ndryshme serbe që kjo trevë të pastrohet tërësisht nga banorët e vet. Brenda 3 deri në 7 ditë këto fshatra u zbrazën tërësisht nga banorët: e humbën të gjithë pasurinë, të mbjellat dhe bagëtinë që i kishin krijuar e ruajtur me vite; vepruan si ditën e mundën në këso rastesh të frikës së madhe dhe psikozës nga ndonjë e papritur.
    Është momenti i fundit që opinioni i gjerë të njoftohet dhe të sensibilizohet lidhur me të zhvendosurit, jo vetëm të Malësisë së Bujanocit por edhe nga tri komunat e banuara me shumicë Shqiptare: Medvegja, Bujanoci dhe Presheva.
    Dëbimi i banorëve të Malësisë së Bujanocit duhet të jetë temë edhe për:
    - Organet më larta të shtetit dhe qeverisë serbe;
    - Mekanizmat më të lartë ndërkombëtarë;
    - Subjektet politike të tri Komunave: Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë;
    - Veçmas për Kuvendin Komunal të Bujanocit të përgatit një platformë, projekt serioz dhe të zbatueshëm në praktikë, të ngritë një Komision për vlerësimin e dëmeve dhe shpagimin e tyre dhe për krijimin e kushteve për kthim;
    - Organet më larta të shtetit dhe qeverisë kosovare;
    - Organet Komunale të Gjilanit, ku janë edhe pjesa dërrmuese e të ardhurve nga Malësia e Bujanocit;
    - Reciprocitetin e ndërsjellë çfarë kërkojnë serbët e Kosovës; ato të drejta ju takojnë dhe duhet investuar edhe për shqiptarët e tri komunave të banuara me shumicë, e në këtë kontekst edhe për banorët e Malësisë së Bujanocit.
    Deri më sot, edhe pas nëntë viteve nuk është bërë asgjë për këto familje, për krijimin e kushteve për kthim të tyre. Në vitin 2001 ishte organizuar një kthim i mbështetur edhe nga UNHCR-i dhe organizma tjerë ndërkombëtarë që e kemi përshëndetur. Iu jemi shumë mirënjohës për këtë. Ndihmat e afruara nuk ishin të mjaftueshme; organizimi nuk ishte bërë ashtu si duhet; nuk ishin marrë në konsideratë shumë specifika të kthimit dhe të asaj pjese që duheshin krijuar kushte më të qëndrueshme. Sot dëmet e luftës janë gati të pallogaritshme, si në prona, shtëpi, puset janë të mbushur me hedhurina, rrugët janë të pakalueshme, shtëpitë të shkatërruara dhe të demoluara, rrjeti elektrik tejet i dëmtuar, ambulanca fare nuk punon, shumë larg për ta marrë një ndihmë esenciale shëndetësore etj. E mbi të gjitha nuk janë krijuar kushte elementare për kthim: nuk ka liri të lëvizjes, për të lëvizur prej fshatit në fshatin tjetër, për ta punuar arën, për t’i lëshuar bagëtinë në fusha, për të shkuar në tregjet e afërta si të Vllasës, Vranjës, Rogoqicës etj. Sot në Bashkësinë Lokale të Zarbicës nuk kemi më shumë se 16 familje me 87 banorë që jetojnë si të përhershëm dhe disa që janë vetëm gjatë stinës së verës, kurse para datës së 23 qershorit 1999 ishin 319 familje që sot nuk janë. Po bëhet gati një dekadë dhe ende nuk kemi një program, strategji të hartuar në letër as të Komunës së Bujanocit e as të qeverisë së Serbisë, për kthim të qëndrueshëm të popullatës së cekur. Sikur deri më sot kjo ka qenë si temë tabu, por është momenti i fundit që të gjithë ta flasim realitetin se si ndodhi dëbimi masiv i kësaj popullate. Duhet të demilitarizohet kjo zonë, dhe rregullisht të ketë mbikëqyrje nga ndërkombëtarët në bashkëpunim me policinë multietnike; ushtria nuk duhet lëvizur nëpër ara e fusha, por të kthehet nëpër kazerma aty ku e kanë vendin e tyre. Të investohet më shumë në këto fshatra, të bëhen projekte serioze për kthim të ndihmuar edhe nga faktori ndërkombëtar, që të joshen njerëzit për t’u kthyer. Të shkruhen e të hartohen plane dhe programe për banorët e Malësisë së Bujanocit, e jo të vazhdohet me këtë avaz, sikur nuk i përkasim askujt. Askush nuk interesohet për këtë kategori. Deri më sot askush nga përgjegjësit institucionalë qendrorë të Kosovës apo Serbisë nuk i ka vizituar, e lëre më të na afrojë ndonjë projekt a program serioz për rikthim apo integrim aty ku janë. Tema për kategorinë e të dëbuarve, të zhvendosurve nuk guxon të jetë e anatemuar, por më tepër të ngrihet zëri, që të mos bëhet tepër vonë. Gati nga askush nuk trajtohemi, askush nuk çan kokën për ne. Mbesim me shpresë se do të ndërmerret diçka në drejtim për kthimin e të gjithë atyre që dëshirojnë të kthehen, nëse iu krijohen kushtet paraprakisht.

 
         
    Refik Hasani
20.6.2008, (Autori është profesor i Ekonomisë. Adresa elektronike: refikhasani@hotmail.com.)
 
© levizjaperbashkim.com