Mes kudhrës dhe çekanit

(Pas pavarësimit nga Serbia, Kosova ka nevojë për çlirim nga hija e Kosovës pa status)

     Republika e Kosovës kërkohet të hyjë në bisedime, të ashtuquajtura “teknike”, me Serbinë – shtetin që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, shfaq publikisht dhe vazhdimisht pretendime territoriale ndaj Kosovës, dhe ndërmerr hapa të gjithanshëm për destabilizimin e Kosovës.
     Si shtet i pavarur, Kosova do të duhej të përgjigjej se nuk mund të hyjë në kurrfarë bisedimesh me atë që punon, ditë e natë, hapur e fshehtë, kundër Kosovës dhe stabilitetit të saj.
     Pra, edhe po të konsideroheshin si dy palë të barabarta, Kosova do të duhej ose të refuzonte çdo kontakt e bisedë me Qeverinë e Beogradit, ose të insistonte që bisedë mund të ketë vetëm për një gjë: ndërprerjen e pakusht të veprimeve armiqësore të Serbisë kundër Kosovës, madje me garanci ndërkombëtare.
     Dhe këtu, pyetja fundamentale nuk është nëse Kosova dhe Serbia konsiderohen palë të barabarta, mes vete apo nga një palë e tretë, por nëse Prishtina dhe Beogradi mund të bisedojnë apo kanë për çka të bisedojmë, në kohën kur shteti i Serbisë përdor çdo mjet në dispozicion për të ngulfatur shtetin e sapolindur të Kosovës: prej nxitjes dhe organizimit të tensioneve brenda Kosovës, e deri tek ofensiva ndërkombëtare diplomatike kundër Kosovës, shpeshherë e mbështetur me gënjeshtra dhe shantazhe të paskrupullta.

* * *

     Por, në situatën tonë, shumëçka nuk funksionon ashtu si do të duhej.
     Andaj, në një të ardhme të afërt e të parashikueshme nuk është për t’u pritur që institucionet e Kosovës do të mund t’iu shmangen kërkesave të tilla, sikur që janë bisedimet “teknike” me Serbinë. Për arsyen e thjeshtë se rrethanat janë të tilla që Serbia e mban peng një pjesë të Kosovës dhe vetë bashkësinë ndërkombëtare në Kosovë.
     Kështu, pyetja e vërtetë nuk është pse bëhen kërkesa që Kosova të hyjë në bisedime me Serbinë, apo pse Kosova nuk është në gjendje të prodhojë asgjë më shumë sesa kundërshtime deklarative dhe joefektive. Apo pse Kosova, me gjithë nevojën emergjente, nuk po ka guximin të ndërtojë një politikë ndaj Serbisë çfarë duhet të ndërtojë një shtet ndaj një shteti tjetër që e cenon dhe ia kërcënon jo vetëm sigurinë, por edhe vetë ekzistencën.
     Pyetja e vërtetë është si u bë që Kosova, pas procesit të mundimshëm të arritjes së pavarësisë, që i kushtoi me kompromise të mëdha, tani e ka kokën mes kudhrës dhe çekanit. Dhe nuk ka ku të ikë.
     Pra, si u bë që kur Serbia identifikohet si pala problematike, Kosova të jetë pala ndaj së cilës bëhet presion për të lëshuar pe për arritje të zgjidhjeve (të përkohshme) për po ato probleme që i krijon po ajo Serbi?
     Me çfarë “strategjie” a “shkathtësie” politike arriti Kosova që të mbetet e lënë e vetmuar në implementimin e Pakos së nobelistit Ahtisaari, që dikur përkrahej nga shumica dërrmuese e shteteve të OKB-së, e tani shpërfillet madje edhe disa prej atyre shteteve që insistonin në po atë pako dhe e bënë Kosovën me Kushtetutë, e cila i nënshtrohet asaj pakoje?
     Apo, cili është ai “interes nacional” i Kosovës që i bën bisedimet me Serbinë çështje urgjente, pikë kryesore të rendit të ditës, në kohën kur institucioneve të Kosovës (dhe miqve ndërkombëtarë të Kosovës) nuk u bëhet vonë për të krijuar, shembull, Gjykatën Kushtetuese (e cila do të ishte instancë supreme e identifikimit të shkelësve të Kushtetutës në territorin e Kosovës, përfshirë veriun)?
     Tekefundit, kush (dhe ku) saktësisht e përcakton se cilat janë “interesat nacionale” të Kosovës?
     Këto pyetje, dhe shumë të tjera, krejt normale, natyrisht se nuk do të gjejnë përgjigje adekuate në një ambient politik si ky i yni. Megjithatë, ato vlen të shtrohen, sepse shpeshherë është pyetja ajo që zbulon më tepër sesa përgjigjja.
     Pra, pse Kosova e ka kokën mes kudhrës dhe çekanit? Dhe kush vazhdon t’ia mbajë kokën aty?

* * *

     Përveç pyetjes pse jemi aty ku jemi, ekziston edhe një pyetje tjetër, mbase më e rëndësishme e më thelbësore: si ta nxjerrim kokën prej kësaj situate?
     Për aq sa njeriu mund të kuptojë kur e shikon atë që sot quhet elitë politike e Kosovës, optimizmi shuhet. Nëse konkludojmë se pushteti në Kosovë nuk ka strategji dalëse nga kjo situatë, po ashtu na duhet të konkludojmë se as opozita nuk ka dhënë ndonjë alternativë të qëndrueshme dhe të besueshme.
     Çdo elitë serioze politike në një vend si ky i yni, me probleme të mëdha dhe të ndërlikuara, në vend se të luftojë për meritat (e qena e të paqena) do të duhej të hapte diskutimet thelbësore rreth drejtimit, të cilin duhet marrë shteti.
     Për këtë arsye, ndryshimi që i duhet Kosovës, nuk është ai që vjen nga procesi zgjedhor, apo nga rikonstruktimet qeveritare. Sado që proceset e tilla janë të domosdoshme dhe mund të sjellin freskime momentale, ato më shumë ofrojnë iluzionin e zgjidhjes së problemeve sesa që ofrojnë zgjidhjen e vërtetë.
     Andaj, për mua, një tryezë gjithëpërfshirëse politike është e domosdoshme për të arritur konsensusin e ri për rrugën që duhet marrë përpara. Për të ndërtuar vizionin e shtetit që duam ta ndërtojmë. Për të bërë atë hapin përfundimtar të ndarjes nga e kaluara.
     Kosova ka nevojë për çlirim nga hija e Kosovës pa status. Një ndryshim rrënjësor në qasje dhe mentalitet politik. Sepse përveç pavarësisë nga Serbia, na duhet edhe pavarësia nga vetja jonë, çfarë ishim dje, dhe çfarë mbetemi edhe sot: me kokë mes kudhrës dhe çekanit.
     Përndryshe, këmbët tona do të vazhdojnë të ecin në drejtime të kundërta, derisa koka do të na mbetet aty ku është.
     Dhe dikur kudhra do ta puthë çekanin.

 
           
    Agron Bajrami  
10.2.2009, www.levizjaperbashkim.com
 
         
Marrë nga "Koha Ditore"
 
             
© levizjaperbashkim.com