| |
 |
|
Në transformim ideja për bashkim kombëtar
Ndodhet në transformim ideja për bashkimin kombëtar.
Ndonëse në Kosovë “partizanët” e Shqipërisë Natyrale akoma flasin për bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare në një shtet të vetëm, në Shqipëri konsiderojnë se bashkimi mund të ndodhë edhe pa i ndryshuar kufijtë aktualë.
Njëri nga përkrahësit e idesë së fundit është Koço Danaj, drejtor i Institutit të Prognozave Rajonale në Shqipëri. Sipas tij, shqiptarët nuk do të jenë ata që do ta prishin këtë rregullsi të këtij rendi botëror, i cili ka filluar tashmë të rikonfigurohet e rikonceptohet, ani pse bashkimin kombëtar e konsideron si proces të pakthyeshëm, sepse thotë që është një proces i progresist dhe evropeist. Por, ai e sheh ndryshe nga që shihet në Kosovë ky bashkim i mundshëm.
“Shqipëria Natyrale nuk kërkon ndryshim të kufijve, por vetëm t’i shuajë kufijtë. Shqiptarët duhet të lejohen të shuajnë kufirin në Qafën e Morinës, në Qafën e Prushit, në Qafën e Thanës dhe në Qafën e Botës, si dhe në Hanin e Hotit dhe Hanin e Elezit”, ka thënë Danaj, në një prononcim telefonik për “Kohën Ditore”. “Po të ndodhë kjo, do të hiqet dorë nga koncepti klasik tradicional i ndryshimit të kufijve dhe do të preferohet shuarjen e kufijve”.
Edhe Enis Sulstarova, një sociolog dhe ligjërues universiteti nga Shqipëria, është i po këtij mendimi. Ai thotë se aktualisht bashkimi kombëtar reduktohet vetëm në bashkimin territorial-shtetëror.
“Bashkimin kombëtar nuk duhet ta kuptojmë vetëm si një bashkim territorial në një shtet kombëtar, por pikësëpari si një bashkim shpirtëror, si një vullnet i përbashkët i shqiptarëve”, ka thënë Sulstarova.
“Kombi është një ide që duhet komunikuar, ndarë me të tjerët dhe që duhet aktualizuar gjithmonë në jetën e përditshme të shqiptarëve”, ka shtuar ai dhe ka alarmuar se, në të kundërtën, kombi kthehet në një diçka të largët e ceremoniale.
Ndonëse prej një viti Kosova ka simbolet e saja shtetërore, shqiptarët me fanatizëm ruajnë simbolet dhe gjithçka me të cilat identifikohet kombi i tyre. Në njëvjetorin e shpalljes së pavarësisë, kudo në festë kanë dominuar ngjyrat kuq e zi, kundrejt të katërtës, të verdhës dhe të bardhës që prezantohen në flamurin shtetëror.
Vetë Muhamer Ibrahimi, autor i flamurit dhe stemës shtetërore, nuk pret që flamuri shtetëror t’ia marrë primatin atij kombëtar.
“Shumë ngjarje na lidhin me flamurin kombëtar. Janë bukur do vjet që jemi rritur me të. Na ka përcjellë në shumë sfida e shumë beteja. Flamuri shtetëror nuk besoj se do ta ketë primatin, të paktën jo sa të jetojë gjenerata jonë”, ka thënë ai. “As vetë nuk kisha pasur qejf ta ketë primatin”.
Kushtetuta e Shqipërisë në preambulën e saj pranon dhe mbështet të drejtën e shqiptarëve për bashkim kombëtar, por Kushtetuta e Kosovës ndalon bashkimin me ndonjë shtet tjetër, siç mund të nënkuptohej Shqipëria.
“Republika e Kosovës nuk ka pretendime territoriale ndaj asnjë shteti ose pjese të ndonjë shteti, dhe nuk do të kërkojë të bashkohet me asnjë shtet ose pjesë të ndonjë shteti”, thuhet që në nenin e parë të Kushtetutës.
Pavarësisht kësaj, së fundi kanë nisur fushata pro bashkimit kombëtar.
Avni Kliniku, kryetar i Lëvizjes për Bashkim, thotë të ndihet më mirë tash kur po sheh që çështja e bashkimit kombëtar po depërton edhe në media, e edhe në institucionet shtetërore.
“Tash po bisedohet për tregun 7-milionësh, për ekonominë e përbashkët Kosovë-Shqipëri, për rrugën e cila do ta lidhë kombin”, ka thënë Klinaku. “Bisedohet për Shëngjinin, akademikë të ndryshëm e shqyrtojnë këtë temë, mediat ...”.
Për të ardhur tek bashkimi, paraprakisht ai konsideron se Kosova duhet nisur bisedat me Serbinë, që kanë të bëjnë me tri qytetet serbe të banuara me shqiptarë: Presheva, Medvegja dhe Bujanoci. Ka shprehur idenë që Kosova t’i këmbejë këto tri komuna me Serbinë, duke ia dhënë kësaj të fundit Leposaviqin, Zubin-Potokun dhe Zveçanin, që popullohen kryesisht nga serbët.
“Zbatimi i të drejtave të njëjta në këto qytete, së pari do t’i relaksonte marrëdhëniet Kosovë-Serbi, e pastaj do ta hapte mundësinë për të hyrë në zgjidhjen përfundimtare që unë mendoj se është e drejtë që të aplikohet parimi i vetëvendosjes në të dyja anët”, ka shprehur mendimin kreu i Lëvizjes për Bashkim. Në këtë pazar nuk e ka futur veriun e Mitrovicës.
Pasi e ka kualifikuar si çështje të interesit madhor çështjen e bashkimit kombëtar, Klinaku ka bërë thirrje që institucionet shtetërore të merren më seriozisht me të. Të njëjtën kërkesë ka pasur edhe për partitë e tjera politike, që në program të tyre nuk kanë bashkimin kombëtar. Nga to ka kërkuar konsensus për këtë çështje.
Shteti kosovar ka intensifikuar së fundi bashkëpunimin me Shqipërinë. Aktualisht po zhvillohen bisedime midis dy vendeve që Porti i Shëngjinit t’i jepet në shfrytëzim Kosovës. Autostrada Durrës-Prishtinë, që është në ndërtim, është investimi më kapital i bërë për lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve të këtyre dy vendeve. Është e freskët edhe ideja e zyrtarëve të lartë shtetërorë që të lëvizet pa pasaporta.
Zëvendëskryeministri kosovar, Hajredin Kuçi, thotë se ky shtet i ri ka qasje të mirë ndaj të gjithë fqinjëve dhe se marrëdhëniet shtetërore i realizon në bazë të mundësive që ofrohen.
“Mundësitë më të mëdha janë për bashkëpunim me Shqipërinë, por ka mundësi edhe me Malin e Zi dhe me Maqedoninë, dhe në të ardhmen edhe me Serbinë”, i ka thënë “Kohës Ditore” Kuçi.
Ky zyrtar i lartë i Qeverisë thotë se qëllimi i përbashkët i shqiptarëve është për bashkim në Bruksel. Megjithëkëtë, pohon se shteti kurrë nuk do t’u bëjë pengesë gjeneratave që vijnë, në përpjekjen e tyre për bashkim kombëtar.
Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, është shprehur pak më parë se shqiptarët nuk duan të bashkohen në një shtet të vetëm. Sipas tij, dëshira për bashkim ka marrë përgjigje negative në Kosovë, ashtu siç nuk ka marrë përgjigje pozitive në Shqipëri.
“Kosovarët luftuan për pavarësi dhe jo për bashkim, kurse shqiptarët e Shqipërisë nuk kanë shprehur në mënyrë të organizuar dëshirën për bashkim”, ka thënë kryeministri Berisha.
Por, zëvendëskryeministri kosovar, Hajredin Kuçi, mohon që Kosova nuk e ka dashur bashkimin kombëtar.
“Kosova nuk mendoj se ka hequr dorë nga bashkimi kombëtar, por është fjala për rrethanat që kanë qenë. Ne kemi një zgjidhje të pranueshme edhe për vendorët, edhe për ndërkombëtarët, dhe mendojmë se pavarësia është zgjidhja më e mirë dhe më reale për momentin”, ka thënë zëvendëskryeministri.
Edhe përfaqësuesit e shqiptarëve të Maqedonisë, që marrin pjesë në institucionet e këtij shteti, tregohen të matur në deklarata. Atje konsiderojnë se është e lartë kostoja e çmimit që duhet paguar për bashkim territorial kombëtar, por shprehet qëndrimi për punë të mëtutjeshme për integrim midis shqiptarëve.
Xhevat Ademi, deputet i Kuvendit të Maqedonisë nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), në një prononcim telefonik për “Kohën Ditore” ka shprehur mendimin se, si asnjëherë më parë, është afër finalizimit ëndrra e shqiptarëve për t’u bashkuar.
“Me pavarësimin e Kosovës, me shtetin e dytë shqiptar në Ballkan, me Shqipërinë në NATO dhe në Bashkimin Evropian, me Maqedoninë po ashtu në NATO dhe në Bashkimin Evropian, shqiptarët përfundimisht do ta realizojnë ëndrrën e integrimit dhe bashkimit”, ka thënë ky deputet i BDI-së, i cili ka qenë edhe pjesëtar i UÇK-së, në betimin e së cilës është shprehur zotimi se do të luftohet deri në bashkimin e trojeve shqiptare.
Koço Danaj konsideron se UÇK-ja ka akoma një mision të pakryer që e ka pasur në betimin e saj.
“Ky mision është fundi i procesit politik të Adem Jasharit - bashkimi i trojeve shqiptare”, ka thënë ai.
Deputeti shqiptar nga Maqedonia, Xhevat Ademi, jep një arsye pse ky zotim ishte pjesë e betimit të secilit pjesëtar të UÇK-së: “Ato kanë qenë situata epike dhe që, përveç të tjerash, me vete kanë pasur edhe dimensionin emocional”.
“Nuk do të kishte qenë mirë po të mos kishte qenë ndryshe”, ka shtuar ai.
Por akuzat nuk mungojnë për përfaqësuesit politikë të shqiptarëve. Për ta thonë se po bëhen servilë të ndërkombëtarëve, dhe çështjen e bashkimit kombëtar, edhe pse jo territorial, fare nuk e flasin.
“Bashkimi kombëtar po reduktohet vetëm në bashkimin territorial-shtetëror dhe politikanët tanë bëjnë gara se cili do të bërtasë më shumë se të tjerët që nuk e duam ‘Shqipërinë e Madhe’. Parulla mbizotëruese e politikës shqiptare është se çështja kombëtare shqiptare do të zgjidhet në kuadër të integrimit të rajonit në BE. Evropa që na ndau, ajo do të na bashkojë. Pra, ne vetëm duhet të presim se koha punon për ne”, ka thënë sociologu Enis Sulstarova. “E kundërta është e vërtetë: koha nuk punon për ne, nëse nuk punojmë ne për kohën”.
Koço Danaj ka shprehur mendimin se në Kosovë historikisht janë bërë përpjekjet më të mëdha, që kombi shqiptar ta realizojë të drejtën për bashkim. Ka përmendur Lidhjen e Prizrenit, Komitetin qendror për mbrojtjen e Kosovës, Konferencën e Bujanit dhe luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“E konsideroj të ligjshme dhe të natyrshme që Prishtina të lozë një rol nga më të rëndësishmit për të filluar procesin e Shqipërisë Natyrale”, ka thënë ai.
Një ditë më parë në Prishtinë të rinjtë e Lëvizjes për Bashkim kanë shpërndarë rreth 10 mijë fletëpalosje, me të cilat bëhet thirrje për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Ato kanë mbishkrimin: “Kosova është Shqipëri”.
Ideja e bashkimit kombëtar e prezantuar në këto fletëpalosje nuk është rikonceptuar. Aty nuk bëhet thirrje për mosprekje kufijsh.
Saktësisht theksohet: “Meqenëse populli shqiptar e përbën më tepër se 90 për qind të popullatës së Kosovës dhe meqenëse aspiratë shekullore e kësaj popullsie ka qenë dhe mbetet bashkimi me Shqipërinë, si dhe për arsye se bashkimi kombëtar krijon parakushte shumë më të favorshme për zhvillim e përparim, e ardhmja më e mirë dhe më e sigurt e Kosovës është bashkimi në një shtet të vetëm me Republikën e Shqipërisë”.
|
|