Artikull i dëshmorit të kombit Bahri Fazliu (1971-1998): “Ta përqafosh 81-shin, ta braktisësh 90-shin”, i shkruar 14 vjet më parë. Pas 14 vjetësh: akoma aktual...

     Lexues të nderuar,
     Po e ribotojmë këtë shkrim të mrekullueshëm të dëshmorit të kombit, Bahri Fazliu me rastin e përvjetorit të njëzetetetë të ngjarjeve historike të 11 marsit 1981.
     Po e bëjmë këtë jo vetëm për t’i kujtuar ngjarjet madhështore të vitit 1981, por edhe për ta parë revolucionaritetin e mjeshtërinë artistike të Bahriut dhe të vijës politike që ai përfaqësonte. Pastaj, antitezat e ngritura nga Bahriu më 1995 në lidhje me vitet ’81 dhe ’90,  nuk e kanë humbur akoma aktualitetin, as katërmbëdhjetë vjet më vonë.

Redaksia e levizjaperbashkim.com

*   *   *

TA PËRQAFOSH 81-shin, TA BRAKTISËSH 90-shin

     Mars ’81. Populli braktisi kasollen që po ia zinte frymën dhe mori në sy ndërtesën.
     Aty ku s’ka vend për shpirtrat e njerëzve, një ditë s’do të ketë vend as për trupat e tyre. Kasollja vuan nga vogëlsia, nga ngushtësia. Të jetosh në kasolle do të thotë ta durosh hijen e ndërtesave. Muret e brishta të kasolles iu bëhen të padurueshme banorëve kur këtyre iu kujtohen muret e forta të ndërtesës. Kur ky padurim kthehet në qëllim, kasollja kthehet në gërmadhë.
     Më ’81 kasollja u shemb përdhe. Më ’81 u hodhën themelet e shtëpisë së re. Muratori popull po derdhte energjitë e tij, talentin, guximin, artin për ta ngritur një kala të fortë e të pathyeshme. Bashkë me gurët në themel ai vendosi gjakun e tij.
     Kur në themel të ndërtesës qëndron gjaku, kulmi i saj do të jetë përmendore.

     Mars ‘81 – mars ’89.  Në godinën e re populli çdo ditë vë nga një gur.

     Mars ’90... populli braktis godinën e re të papërfunduar dhe në ajër përpiqet ta ndërtojë ndërtesën.
     ’81-shi, me madhështinë e tij, braktisi kasollen, sepse aspironte ndërtesën; ’90-shi, me mjerimin e tij, braktisi themelet e ndërtesës dhe shkon rrugës së kasolles.
Ideali, të parin e bën madhështor, të dytin e bën të përbuzur.
     Kur në themel të ndërtesës qëndrojnë dokrrat, ndërtesa e ngritur do të jetë hije.

     Mars ’95. Nëse ’81-shi ishte themeli i një ndërtese, ’95-shi është kulmi i një kasolleje prej letre.
     Popullin e mbetur pa kasolle duan ta bindin se ka shtëpi!
     Popullin, që derdhi gjak për themelet, duan ta bindin se ky gjak është i panevojshëm për ndërtesën!
     Popullin murator duan ta kthejnë në lypsar!

     Ta nderosh ’81-shin do të thotë ta përbuzësh ’90-shin. Të mësosh nga ’81-shi do të thotë ta dënosh ’90-shin. Të veprosh kësisoj, do të thotë ta dëgjosh zërin e historisë, zërin e së ardhmes.
     Prandaj, ta braktisësh ’90-shin e ta përqafosh ’81-shin – ja e tëra çka i duhet ’95-shit.

 
         
    Bahri Fazliu, “ÇLIRIMI”, mars 1995
8.3.2009, www.levizjaperbashkim.com
 
       
 
           
© levizjaperbashkim.com