Në Shqipëri - JO, në Durrës – PO

     
     Kurrë nuk e kam imagjinuar se do ta përjetoj kaq afër bregdetin e Adriatikut e të Jonit sikur që e ndiej tani. Se ç’më duket që e kemi fare pranë, aty pas bjeshkëve. Sic! Cilave, more? Ku po i sheh ti ato bjeshkë!? Po a nuk u rrënuan, a nuk u shtrinë përtokë ato? E po nuk e di se kush e kërkoi të rrënohen, të përbirohen, të shkulen, po, ama, ato më nuk i vërej se janë gjëkundi. Me aparat!? - Po. Do t’i fokusoj nga pozicionet më të ndryshme, dhe me entuziazmin e Guxim K. që ka për fotografinë, po që të has në to më - JO. JO dhe JO. Pikë.
     Pikërisht më 26.6.2009, Nuhiu, një kushëri imi, teksa po më fliste për një mik shtëpie, më tha: “Jo (nuk e gjeta), paska shku’ në deti”. Deri dje thoshim paska shku’ në Shipni, e sot pak më ndryshe, “...në deti”.
     Pa dyshim është koha të thuhet: “ Ka shkuar në Durrës”, “Ka shkuar në Berat”, apo “... në Shkodër”.
     “Ka shkuar në Shqipëri” le të thonë tjerët, fqinjët. Ne jo. Ne nuk mund të shkojmë aty ku jemi.
     Kush e ka mendjen ta lërë Durrësin, Vlorën , ....., e të shkojë në dreq të mallkuar, pardon, desha të them në Turqi, ani, le të shkojë në .... , ku ta gjejë më mirë. Veç në Shqipëri më JO. Në Durrës – PO.

 
           
    Miftar Mehani  
27.6.2009, www.levizjaperbashkim.com
 
             
© levizjaperbashkim.com