Përkrahje debatit dhe qëndrimeve nga tryeza për TC Kosova e Re

     Meqenëse nuk kisha mundësi të marr pjesë në tryezën e organizuar, për shkak të udhëtimit tim jashtë Kosovës, përmes kësaj letre solidarizohem me diskutimet dhe konkluzionet e zhvilluara të tryezës. Me këtë rast po i shpreh mendimet mia lidhur me këtë çështje.
     1. Jo vetëm procesi i zhvilluar i gjertanishëm për kapacitetet 2100 MW është një aventurë e rrezikshme “institucionale” e Kosovës, por edhe idetë për kapacitetet 200, 300 apo 500 MW, do të ishin aventurë, nëse nuk do të bëheshin analizat e mirëfillta të përfitimit nga qymyri dhe energjia elektrike, si dhe krahasimet përkatëse të sistemeve energjetike të cilat do të ishin më rentabile, teknologjikisht më të avancuara që do të instaloheshin. Krahasimet e derisotme janë thjesht krahasime të dy sistemeve të dyshimta teknologjike që tashmë i përkasin teknologjive të skaduara, por që kalojnë lehtë tek qeveritë injorante dhe të korruptuara për interesa përfitimesh në dëm të Kosovës.
     2. Por, kjo mësipër nuk mjafton, pa e bërë analizën e impakteve të efiçencës në sistemin elektroenergjetik të Kosovës, që është qenësore për të konstatuar kërkesat reale të konsumit, për një strategji reale të zhvillimit ekonomik të vendit (Kosova nuk ka strategji të zhvillimit ekonomik!!!), sidomos tek ne ku gjithçka ka dalë jashtë kontrollit, përpos kontrollit për përfitime në interes të klaneve menaxhuese me sektorin dhe bizneset përkatëse të tyre.
     3. Politikat e gabuara energjetike të Kosovës, sidomos logjika e gabuar e shthurjes pas formimit të Ministrisë së Energjisë dhe Minierave, nuk u ndalën por e vazhduan rrugën e misionit shkatërrues të UNMIK-ut, Shtyllës së IV-të, gjegjësisht AKM-s, në shembullin e tipave ala Trutshler etj, e lidhjes mafioze ndërkombëtare-kosovare në KEK, arritën ta dëmtojnë rëndë energjetikën dhe ekonominë e Kosovës, shumë prej tyre tani i gjen edhe më të avancuar në poste drejtuese të Sektorit të Energjisë së Kosovës.
     4. SEK nuk është thjesht çështje e një termocentrali, por e tërësisë komplekse të impianteve energjetike, që duhet harmonizuar e parë edhe në kontekst rajonal dhe evropian, sipas prioriteteve dhe interesit të Kosovës, për t'i shfrytëzuar orientimet dhe direktivat pozitive evropiane, që sot koncentrohet në tri shtylla kryesore (lexoni më poshtë në anglisht shkëputjen e preambulës nga origjinali i dokumentit “Memo on Strategic Energy Review 2008 EC”.
Teksti në origjinal:
     “Europe has agreed a forward-looking political agenda to achieve its core energy objectives of sustainability, competitiveness and security of supply, by reducing greenhouse gas emissions by 20%, increasing the share of renewables in the energy consumption to 20% and improving energy efficiency by 20%, all of it by 2020. This agenda means very substantial change in Europe's energy system over the coming years, with public authorities, energy regulators, infrastructure operators, the energy industry and citizens all actively involved. It means choices and investments during a time of much change in global energy markets and international relations. Europe's political leaders need to give clear messages on the energy strategy. Hence the Strategic Energy Review.“
     Ky dokument në pika të shkurtra tregon për politikat dhe objektivat që duhet ndjekur për të ardhmen e mbarë energjetike për ata që duan zhvillim të mirëfilltë ekonomik, aftësi konkurruese dhe siguri të furnizimit, për integrime pozitive dhe të denjë në tregun evropian, me theks të veçantë në zbatimin e strategjisë 20/20/20 deri në vitin 2020:
     · 20% reduktim emisionesh,
     · 20% rritje të përdorimit të burimeve të ripërtëritshme,
     · 20 % përmirësim të efiçencës.
     Fatkeqësisht, nuk kapemi për polet pozitive të botës por, të kundërtën, për b...! Prandaj i bashkëngjitëm shqetësimeve të paraqitura të letrës së hapur të kolegëve ekspertë të fushës së energjisë, me mendimet e mia të mësipërme dhe, për në fund, pa zgjatje të madhe me këtë rast, sepse ka akoma shumë për të thënë e qartësuar opinionin, uroj që të vazhdohet me takime dhe presione të këtilla ekspertësh vendorë, sepse ato janë me interes vital për të ardhmen e Kosovës. Vërtet, siç ka thënë Fishta, “Koha është e maskarenjve, por atdheu i shqiptarëve!”, Kosova është e popullit të saj, në radhë të parë e shqiptarëve shumicë që kanë kaluar nëpër katrahurën kolonialiste sllave, po që ranë sërish në kthetrat e klaneve pirateske të vendit e të gangeve mafiozeve të huaja që të parët i përdorin si peshqit e vendit (të vegjël për ta, por të mëdhenj për popullin e varfër të Kosovës!), e gjithë kjo në emër „të demokracisë dhe integrimeve me botën e përparuar“.

 
           
    Fatos Aliu  
9.7.2009, www.levizjaperbashkim.com
 
             
© levizjaperbashkim.com