Presheva dhe Suezi

     Ishte korrespodenti i njohur amerikan me prejardhje italiane, Marko Markoni, i Transatlantic Wireless Telegraph, i cili me shumë nguti kishte vrapuar i entuziazmuar pranë dyerve të New York Times për ta publikuar korrespodencën e tij mbi ujdinë që kishin arritur kapitalistët amerikanë dhe ata rusë për konstruktimin dhe ndërtimin e kanalit për lidhjen e Danubit me Detin Egje.
     Kështu që më datën 18 janar të vitit 1913 gazeta prestigjioze amerikane Nju Jork Tajms publikon raportin nga Vjena me titull "Kapitalistët amerikanë dhe ata rusë kanë arritur marrëveshjen për ndërtimin e përbashkët të rrugës lundruese që do ta lidhte Danubin me Detin Egje", duke vazhduar citatin e Markionit: të rejat e arritura nga këtu Shën Peterburgu tregojnë efektin pozitiv të bisedimeve ne mes kapitalistëve amerikanë dhe atyre rusë për fillimin e përbashkët të konstruktimit dhe ndërtimit të kanalit ujor që do ta lidhë lumin Danub me detin Egje, kjo do të thotë një kanal ujor që do ta lidhë lumin Morava dhe lumin Vardar deri te ujëndarësi i Preshevës,  ku do të shtrihej për në jug deri tek Vardari i epërm".
     Ishin vitet e gjata bisedimesh, demonstrim force dhe aktivitete të gjithanshme diplomatike atëherë mes pesë superfuqive botërore Francës, Anglisë, SHBA-së dhe Rusisë që gjithsecila po tentonte ta vendoste monopolin e saj në këtë projekt gjigant inxhinierik , bisedime që po rrezikonin të degjeneronin në një konfrontim të hapur ushtarak.
     Menjëherë pas fillimit të luftërave ballkanike dhe fillimit të rrëzimit te Perandorisë Otomane, filluan edhe interesimet e para për këto rajone.
Shumë kohë më parë, në vitin e largët 1841, filloi interesimi dhe u hapën shumë pyetje për kapacitetet lundruese të Moravës së Madhe si sistemi më i komplikuar ujor në Serbi, kështu që filluan edhe lundrimet e para të anijeve të postës deri në Qupri dhe nga këtu edhe u hap debati në atë kohë për t’i analizuar kapacitetet lundruese të krejt Moravës e veçmas të degës jugore të saj.
     Kështu që ishin Amerikanët, më saktësisht Shoqëria shtetërore amerikane për hapjen e kanaleve me kryetar Eugen Herbel që në vitin e largët 1848 e kishin dizajnuar dhe projektuar planin e hapjes dhe ndërtimit të kanalit duke e emëruar "Linja e gravitetit e ekonomisë evropiane në relacion me kanalin e Suezit"  .Ata ishin të parët që e hodhën idenë për hapjen e një kanali që do ta krijonte një rrugë lundruese prej Danubit e deri në Portin e Selanikut e mandej për të vazhduar deri tek kalimi i Suezit dhe më tutje.
     Kështu që Lugina e Preshevës që e mund të quhet vija ndarëse e dy baseneve të mëdha: atij të Moravës së Madhe dhe Vardarit, gjithmonë ka qenë në vëmendjen e madhe dhe gjithmonë e veçmas në shekullin e kaluar, në fillim të shekullin të 20-të, gati se ishte shndërruar në mollë sherri mes Francës, Anglisë, SHBA-së dhe Rusisë.
     Në tendencë për ta ruajtur influencën e saj në zonat e trafikut ballkanik,  Franca krijoi aleancën e saj të parë me qeverinë serbe atëherë  të udhëhequr nga Obrenoviqi, e që kishte si qëllim ta përjashtonte konkurrencën angleze dhe ta eliminonte rëndësinë e kalimit të Gjibraltarit, duke e krijuar kështu rrugën e re lundruese që do të kalonte në zonat që nuk do të ishin nën influencën angleze.
     Për këtë arsye edhe kompania e njohur  franceze që ishte një konglomerat serbo-francez me emrin "French-Serbian Shipping Company" që e kishe krijuar Millosh Obrenoviqi për ta rregulluar trafikun lundrues në Danub, Savë dhe Moravë, në bashkëpunim me kompaninë tjetër franceze "Principal Shipping Company" , zhvilluan me miratimin e Napoleonit të 3- të më datën 14 shtator të vitit 1850 fillimin e studimeve dhe krijimit të projektit të publikuar që në atë kohë për restaurimin dhe hapjen e një kanali që do ta lidhte Danubin dhe Vardarin për ta krijuar rrugën lundruese për në portin e madh të Selanikut. Serbia në atë kohë kishte shfaqur interesim maksimal për këtë projekt dhe i kishte lehtësuar të gjitha proceset ligjore për fillimin e punimeve.
     Ishte vetëm intervenimi i atëhershëm i Rusisë që në momentet e fundit u kundërshtua aplikimi i "Principal Shipping Company" qe e kishte bërë më 1 korrik të vitit 1859 për marrjen me koncesion për 30 vite të lundrimit nëpër këtë kanal posa që ai të ndërtohej. Millosh Obrenoviqi, i kërcënuar nga qeveria e Moskës se atëhershme me prishjen e marrëdhënieve diplomatike ( që per Serbin ishin shumë domethënëse ne kohën e luftërave kundër Perandorisë Osmane), pranoi kërkesat e Rusisë për mosdhënien me koncesion së drejtës së lundrimit kompanisë franceze "Principal Shipping Company" që ishte edhe pronë e vetë Napoleonit të 3- të.  Pas shumë negociatave dhe vetëm pas intervenimit të konsullatës Ruse në Beograd ishte arritur marrëveshja që kompanisë shtetërore ruse t’i jepej e drejta e ndërtimit dhe shfrytëzimit të mëvonshëm të kësaj rruge lundruese dhe më në fund marrëveshja ishte arritur më 18 shtator të vitit 1860.
     Marrëdhëniet e prishura me francezët ishin arsyeja që më në fund Obrenoviqi kishte pranuar t’ia jepte edhe disa të drejta të limituara Francës për të drejtën e lundrimit dhe kështu në vitin 1864 francezët të irrituar i kishin prishur përfundimisht marrëdhëniet me Obrenoviqin dhe i kishin ndërprerë punimet për restauronim e Moravës dhe as që kishin filluar ndërtimin e kanalit.
     Derisa tensionet në aksin Serbi-Francë-Rusi po vazhdonin lidhur me dominimin e projektit dhe rrugës lundruese, në vitin 1867 anija me emrin "Morava" me ekspeditën e udhëhequr nga Ante Aleksiq kishte filluar hulumtimet serioze për vlerësimin e kapaciteteve lundruese te Moravës.
     Disa vite më vonë shoqata me emrin "Messenger of Serbian Learned Society" në vitin 1879 e publikon librin që ishte një punim shkencor i Ante Aleksiq me emrin "Morava, gjendja e tanishme dhe mundësitë e saj lundruese" që ishte një vlerësim dhe pohim për mundësinë e ndërtimit të kësaj rruge dhe analizat e punës teknike dhe arsyetimin e fitimeve ekonomike.
     Por vetëm fillim shekulli i 20-të ishte koha kur seriozisht filluan interesimet konkrete për fillimin e ndërtimit të aksit magjik Danub-Moravë-Vardar-Deti Egje.
     Ishte viti 1904 kur filloi lëvizja për lidhjen e Danubit me detin Egje dhe për hapjen e kanalit që do t’i lidhte këta dy lumenj. Për t’u realizuar kjo ide interesim special kishin shfaqur Anglia dhe Gjermania, që si dëmshpërblim kishin pranuar t’i financonin vetë punimet dhe krejt projektin. Ishin kontaktet e bëra me rrethet e influencës së biznesit në Angli dhe Gjermani që ia kishin tërhequr shumë vëmendjen për këtë ide edhe qeverisë së SHBA-së në atë kohë, e cila me jo seriozitet i kishte refuzuar kërkesat e kryetarit të shoqatës së hapjes së kanaleve, Eugen Herbel, për financim të punimeve.
     Kështu që për herë të parë shfaqet pa asnjë dilemë interesimi i hershëm amerikan për rajonet e Ballkanit dhe bëhen vlerësimet e para për pasuritë e tyre të jashtme e të brendshme, duke ndikuar drejtpërdrejt edhe në përpilimin e politikave të shumë administratave të tjera amerikane në vijim. 
     Interesi amerikan për rajonin e Luginës së Preshevës ishte i hershëm shumë më i hershëm se sa që dihet dhe shkruhet nga publicistika, historia dhe media shqiptare.
     Për Luginën e Preshevës shumë kohë më herët shfaqen interesat dhe hedhen shtizat e interesit nga fuqitë kryesore të asaj kohe dhe kohës së sotme, duke u përpiluar plane dhe ide për dominimin e rajonit dhe projektit gjigant të rrugës lundruese Danub-Deti Egje.
     Sidoqoftë, gjendja e rënduar ekonomike e politike në Evropë dhe relacionet e saj me krizat ballkanike të asaj kohe e kishin hedhur dhe shtyrë për shumë kohë fillimet e punimeve, duke u zhvendosur prioritete në rrafshin e sigurisë së territoreve dhe luftërave për zgjerime territoriale që filluan pas tërheqjes së Turqisë nga Ballkani.
     Luftërat filluan dhe pas vitit 1912 ishte shumë e rëndë që të eliminoheshin pasojat dhe konsekuencat e shkatërrimeve nga luftërat. Kështu që deri në vitin 1962 nuk ishte evidentuar asnjë tendencë për vazhdimin e realizimit të punimeve.
     Pas këtij viti filluan edhe njëherë analizimet dhe projektimet e punimeve. Vlen të theksohen disa nga punimet shkencore lidhur me këtë ide.

     Intelektualët Serbë në mbështetje të projektit - Serbian Hydrodiplomacy

     Pak më poshtë do t’i shkruaj vetëm disa fakte të viteve më të fundit për riaktualizimin dhe zhvillimet për idenë e hapjes së kanalit lidhës ujor mes Moravës dhe Vardarit, e që do të kalojë nëpër Luginën e Preshevës.
     Më datën 24 deri me 27 mars të vitit 2002 në Nju Orleans të SHBA-së në hotel Marriot, intelektuali serb Lubisha Adamoviq, ligjerues në Universitetin shtetëror të Floridës mbron punimin me titull " Fiksion apo Fakt : ambiciet politike-kombëtare dhe marrëdhëniet ndërkombëtare", ku në vazhdën e elaborimit të tij për rëndësinë e bashkëpunimit ndërevropian, ai si shtyllë të tretë të këtij bashkëpunimi e sheh korridorin ujor Morava –Vardar, që sipas tij do të duhej të ishte pika më kyçe e bashkëpunimit evropian, e veçmas e vendeve danubiane, përfshirë Gjermaninë, Austrinë, Hungarinë, Kroacinë, Serbinë, Maqedoninë dhe Greqinë, që sipas tij do ta shënonte edhe fillimin e një ere të re bashkëpunimi edhe në nivel më të gjerë gjeopolitik mes këtyre vendeve dhe SHBA-së dhe pjesës tjetër të globit.
     Në konferencën e 23-të të vendeve danubiane, të mbajtur nga data 28 deri më 31 gusht të vitit 2006, profesoresha serbe Boilova Elena në ligjërimin e temës 6 me titull "Ndërtimi i kanalit lidhës ujor mes Moravës dhe Vardarit -lidhja e Danubit me Egjeun - mundësitë ", profesoresha serbe përpara dhjetëra diplomatëve dhe njerëzve me influencë në vendet si Gjermania, Franca, Austria shtjellon idenë dhe veçmas përfitimet marramendëse ekonomike për vendet që do ta financonin këtë projekt.
     "Për ndërtimtarët tanë nuk ka kufij, kemi inxhinierë, arkitektë për ta realizuar këtë projekt", - thotë profesori Milleusniq dhe vazhdon: "Mund të bëhen kombinimet me ndërtimin e digave dhe kjo duhet të bëhet me anën e bashkëpunimit dhe donacioneve nga Banka Botërore për zhvillim me seli në Uashington dhe Banka Evropiane për zhvillim me seli ne Londër, duke ditur që pas kësaj edhe do të mund të ndërtonim edhe hidrocentrale afër kanalit dhe kjo do të ketë zhvillim të madh për sistemin hidroenergjetik". Sipas profesor Mileusniq, ndërtimi do të zgjaste 12 vite dhe do të punësoheshin mbi 22.000 njerëz.
     Derisa intelektuali serb dhe ata të huaj po merren me promovimin, me thurjen e planeve dhe me organizimin e konferencave të ndryshme për përfitimin e mbështetjes së botës perëndimore në realizimin e këtij projekti, politika dhe inteligjencia shqiptare, e veçmas ajo e Luginës së Preshevës humbin kohën e tyre në aktivitete boshe dhe jashtë robusit real të ndërtimit të një politike moderne mbi baza të interesit ekonomik dhe material, duke e lëshuar rastin për rikthimin e merituar të vëmendjes së botës ndërkombëtare tek kërkesat e drejta të popullit autokton shqiptar.
     Askush sot në politikën botërore nuk mbështet kërkesat e një pale tjetër politike pos vetëm kur interesi ekonomik dhe gjeopolitik është në interesin e vet, por ato interesa duhet ndërtuar me oferta dhe promovime të resurseve, e jo me promovimin e mjerimit dhe formës fëmijërore të të bërit politikë.
     Shumë kohë më parë më kishte ngacmuar në vazhdimësi emërimi amerikan për këtë rajon me emërtimin e çuditshëm Lugina e Preshevës.
     Por ajo që më shumë më ngjallte edhe më tepër kuriozitet tashmë ishte e qartë. Amerikanët që janë të njohur për zbulimet e ndryshme të pasurive nëntokësore e mbitokësore herët e kishin nuhatur rëndësinë e gjerë strategjike që kishte ky rajon jo vetëm për Ballkanin, por edhe të një rëndësie me përmasa kontinentale e më gjerë.
     Edhe njëherë bindem mbi sinqeritetin amerikan në relacion me shqiptarët; edhe njëherë bindem mbi dëshirën e sinqertë të tyre për ta ndihmuar këtë popull të dalë nga humnera historike.
     Edhe ideja e fundit e një kongresisti amerikan buron nga sinqeriteti i Tij , nga njohuria e Tij e gjerë mbi politikën,  e jo nga dëshira e Tij për të lozur me shqiptarët.


 
           
   
Arben Jahiu
 
18.8.2009, www.levizjaperbashkim.com
 
             
© levizjaperbashkim.com