| |
 |
|
Pesha e stabilitetit
Sa herë që hapet çështja shqiptare në Ballkan, siç ishte rasti i deklaratës së Kryeministrit shqiptar, Sali Berisha, për "unitetin kombëtar të shqiptarëve në rajon" nuk mënojnë të vijnë komentet ndërkombëtare. Strukturat e këtyre reagimeve janë tashmë të njohura. Si fillim, ravijëzohet fantazma e "Shqipërisë së Madhe", rëndësia e stabilitetit në rajon, e pastaj, ndonjë kërcënim i fshehtë midis rreshtave për ndërprerjen e mbështetjes së shqiptarëve, dhe pse jo, një ndjenjë keqardhjeje për bombardimin e Serbisë apo hapjes së telasheve me shtetin më të ri të Europës -Kosovën. Këtyre komenteve ndërkombëtare u bashkëngjiten edhe disa komente e analiza, ku si motiv kryesor lexon se shteti shqiptar nuk mund të marrë përgjegjësi të tilla, të konsideruara shpeshherë dhe si "aventurë politike" dhe "iluzione", por duhet të zhvillohet dhe fuqizohet ekonomikisht.
Në të vërtetë, ky qëndrim nuk është i ri. Ai e ka zanafillën në fjalimin e Ahmet Zogut në Parlamentin e vitit 1922, ku deklaronte se "shteti shqiptar është i vogël dhe politika jonë duhet të jetë e qartë, e sinqertë dhe pa iluzione, që mund të na dëmtojnë shumë". Siç duket, me fjalën "iluzione" duhet nënkuptuar përkrahja e kauzës për t‘u bashkuar me Shqipërinë të territoreve shqiptare të mbetura jashtë kufijve. Por ndonëse mund të ishte e kuptueshme që, në gjendjen e mjerueshme ku ndodhej, Shqipëria e vitit 1922 nuk mund të ushqente iluzione të tilla, është e çuditshme që sot, në vitin 2009, ka shumë zëra që e mbështesin këtë qëndrim.
Paranoja fikse se ne mund ta humbin shumë shpejt mbështetjen ndërkombëtare, nëse artikulojmë të vërteta të njohura rreth Shqipërisë natyrale na ka kthyer në "dordolecë" të çështjes shqiptare, saqë qeveria shqiptare nuk mund të japë mendim as për gjendjen represive të shqiptarëve në Preshevë dhe as për marrëveshjen policore të misionit europian në Kosovë, EULEX-it, me autoritetet serbe. Ky rreth vicioz e paradoksal, të cilin për hir të së vërtetës e kemi pranuar me dashje, me politikën tonë të durimit e të shpresës, se "me integrimin tonë në Europë do të zgjidhet edhe problemi shqiptar", bie ndesh dhe me zhvillime të tjera rreth nesh në rajon.
Sado paradoksal që mund të tingëllojë konstatimi i mësipërm, një seri ngjarjesh të zhvillimeve të fundit e dëshmojnë këtë gjë. Fqinji ynë lindor, Maqedonia, po vuan integrimin tij euroatlantik, vetëm se Greqia kërkon të ruajë me çdo kusht "kujtesën e saj historike", Sllovenia pengon hyrjen e Kroacisë në Bashkimin Europian për shkak të mosmarrëveshjeve rreth një porti në Adriatik, ndërsa Presidentit të Hungarisë nuk iu lejua hyrja në Sllovaki, për të marrë pjesë në festimet e organizuara nga minoriteti etnik hungarez aty, me pretekstin se "ndikon negativisht në marrëdhëniet hungarezo-sllovake".
Ky incident, i cili pasqyron më së miri mozaikun e shteteve nacionalë të ndërtuar pas rënieve të perandorive osmane, hasburgase e ruse në Europën Juglindore, tregon se modeli europian i integrimit nuk i shuan mosmarrëveshjet e vjetra, por dhe më keq, i kthen në probleme të vetë Europës. A nuk do të ishte më mirë që, problemet nacionale, të trashëguara nga "real- politika" e shekullit XX të zgjidheshin në bazë të parimit të vetëvendosjes, parim që në princip mishëron edhe një nga liritë themelore, atë kombëtare?
Në vend të tij faktorët ndërkombëtarë kanë zgjedhur formulën e status-quo-së dhe të stabilitetit. Këtyre të dyve, tani së fundmi, u është shtuar dhe parimi i "barasvlefshmërisë", i cili nënkupton që çfarëdolloj aksioni apo mbështetje pozitive që i jepet njërit komb në rajon, menjëherë i duhet dhënë edhe kombit tjetër. Ky parim reflektohet më së miri në marrëdhëniet shqiptaro-serbe në shtetin e Kosovës. Të kësaj fryme janë lejimet e herëpashershme të mbajtjes së zgjedhjeve serbe në Kosovë dhe marrëveshjet e EULEX-it me Serbinë, mesa duket për të "balancuar" shpalljen e pavarësisë së Kosovës.
Incidenti hungarezo-sllovak hedh dritë edhe mbi zhvillimet e tjera të mundshme midis Shqipërisë e Serbisë, Shqipërisë e Maqedonisë, Shqipërisë e Malit të Zi, Kosovës dhe Serbisë, Kosovës e Maqedonisë, si dhe Kosovës e Malit të Zi. Sikurse vihet re nga radha e gjatë e problemeve, faktorët ndërkombëtarë u kanë caktuar shqiptarëve rolin e "Atlasit", për të mbajtur në shpinë gjithë stabilitetin e rajonit. Ata, më tepër se çdo komb tjetër në rajon, duhet të durojnë represionet ndaj tyre në Preshevë, mungesën e legalizimit të gjuhës së tyre dhe moszbatimin e Marrëveshjes së Ohrit në Maqedoni, proceset politike të montuara në prag të zgjedhjeve elektorale në Mal të Zi, poshtërimin e pafund të emigrantëve të tyre në Greqi, që dhe pas 18 vjetësh nuk mund të gëzojnë të drejta si gjithë emigrantët e tjerë në një vend europian, shndërrimin e identitetit të krahinave të veta në jug, e kështu me radhë.
Vetëm se në gjithë këtë kalvar vetëpërmbajtje që u kanë rezervuar shqiptarëve, faktorët ndërkombëtarë a kanë menduar ndonjëherë se ç‘do të ndodhë nëse ata nuk e mbajnë dot më këtë peshë stabiliteti? Shqiptarët janë gjendur dhe vazhdojnë të gjenden midis dy alternativave: Ose duhet të vazhdojnë pranimin e "recetave evropiane" të tipit të Ahtisaarit për të ardhmen e tyre si komb në Ballkan, ndërsa fqinjët e tyre i kanë radikalizuar qëndrimet duke braktisur "europianizimin" dhe duke rigjetur veten te politikat e vjetra bizantine; ose duhet të formojnë ushtritë e tyre çlirimtare si në fund të shekullit XX për të krijuar "recetën" për të ardhmen e tyre. Komuniteti ndërkombëtar duhet të falënderojë Zotin që shqiptarët deri tani kanë zgjedhur alternativën e parë... |
|