| |
 |
|
Të punosh me instinktin e mbijetesës
(Në vend të falënderimit për dr Lindita Çokun, kardiokirurge në Boston, SH.B.A)
Dhe një mjeke shqiptare me njohuri të sistemuara dhe specializime në Amerikë e tha atë që e themi qe disa vite. E tha nga këndi neutral, pa anime, e tha nga çiltërsia e saj prej njeriu dhe prej humanisteje. E tha nga ndjenja e saj e thellë kombëtare se është e zhgënjyer thellësisht me shëndetësinë në Kosovë...
E kemi thënë vazhdimisht edhe ne (por nëna që nuk e mëkon fëmijën kur qan, ai fëmijë më nuk qan), se mjekësia në Kosovë është dështim i madh i shtetit. Me një diletantizëm, paknikoqirllëk, tenderomanike, poshtëruese ndaj mantelbardhëve është bërë model – maket se si nuk duhet të jetë një shëndetësi e një shteti. Bile, ka pasur shtete që na marrin për yrnek se si nuk bën, andaj, si duket, ne “duhet” të ekzistojmë për t’ia bërë yrnekun e dështimit shteteve të organizuara...
Këtu në Kosovë, ku shtazët kanë kartelë te veterineri, e ku njeriu nuk ka sigurim shëndetësor publik. Këtu ku veturat sigurohen e shëndeti nuk sigurohet. Këtu ku mjeku poshtërohet me kushte të rënda të punës, me pagesa publike të nëndinjitetshme, vaj halli për pacientin. Këtu ku sindikatat e punëtorëve shëndetësorë manipulohen nga partitë politike, ku vetë mjekët individualisht regjistrohen turravrap nëpër parti për ta pasur “shpinën të fortë”, këtu ku politizimi e mbyt profesionalistin dhe ekspertin, ia dobëson forcën e tij - por e mbështet dhe i jep shtysë servilit dhe korruptuesit. Këtu ku sa më me përvojë të jesh, je më pak i dobishëm dhe më i pavlerë, këtu ku sa më shumë përvojë që të kesh, je më i fyer dhe më i lënë anash, këtu ku...
Shtrohet pyetja: po si nuk u shemb vallë deri tani i tërë sistemi shëndetësor? Përgjigja është se njeriu si kryeneç që është nuk mund ta lërë... Vepron duke e ndihmuar si mundet pacientin hallexhi me instiktin e mbijetesës, por mundohet edhe vetë të mbijetojë nga ky profesion me shumë kore...
Voluntarizmi i detyruar i mantelbardhëve i mban gjallë spitalet, shtëpitë e shëndetit, sepse thellë në veten e tij mantelbardhi e di se hallexhiu s’ka ku të shkojë tjetër, e di se s’ke tjetër shtëpi ku të mjekosh pacientë, por e di edhe se s’ka vend tjetër ku njeriu mund të vdesë dinjitetshëm nga sëmundja.
Duhet të kthjellemi dhe të veprojmë fuqishëm dhe me energji, sikurse tha mikja e mjekja jonë kardiokirurge nga Bostoni. E kundërta e kësaj do të thotë se u veprua si me qëllim kundër një populli...
|
|