| |
 |
|
28 Nëntori - dita e shtetësisë shqiptare
Historia e çdo kombi njeh sukseset e mëdha, pikat e veta kulmore njëjtë siç ka edhe humbjet apo tragjeditë e mëdha nacionale. Për kombin shqiptar kjo ditë është data kuptimplotë e 28 nëntorit 1912 kur shqiptarët panë njëkohësisht fitoren dhe humbjen e tyre të madhe. Fitorja u formalizua nga patriotët shqiptarë në Vlorën tonë të bukur. Humbja u realizua në praktikë nga aleatët ballkanikë sllavo-grekë të cilët e sulmuan Shqipërinë nga të katër anët. Qyteti i rëndësishëm shqiptar i Shkupit u pushtua nga ushtria sërbe më 26 tetor 1912 si rezultat i humbjes së betejës së Kumanovës. Më 19 dhjetor ushtria sërbe hyri në kryeqytetin kulturor të shqiptarëve – Manastir. Rënia e dy fortesave shqiptare Janinës më 6 mars dhe Shkodrës më 23 prill 1913 respektivisht, shënoi fundin e Shqipërisë në kufijtë e saj etno-kulturorë dhe natyrorë. Kjo tragjedi e përmasave të pabesueshme u zyrtarizua nga diplomacia ndërkombëtare një vit më vonë (1913), në Konferencën e “paqes” në Londër, ku më 30 maj u nënshkrua Traktati i Londrës i cili e ndau Ballkanin administrativisht në të njëjtat vija ndarëse që përgjithësisht funksionojnë edhe sot.
Territori shqiptar, ose territori i banuar me shumicë shqiptare shtrihej në vitin 1912 në reth 110.000 mijë km2. Territori në të cilin Shqipëria u pranua zyrtarisht nga fuqitë e mëdha si shtet i pavarur dhe sovran, përfshinte vetëm një pjesë të vogël të trevave të banuara me shqiptarë etnikë, vetëm 28,748 km2. Nga katër kryeqytetet e provincave shqiptare të Epirit, Maqedonisë dhe Kosovës, tre prej tyre, Janina, Manastiri dhe Shkupi përkatësisht, mbetën nën pushtimin grek dhe sërb. Vetëm qyteti i Shkodrës nën trysninë e fuqishme austro-hungareze pas tërheqjes së ushtrive sërbomalazeze u la i lirë dhe pjesë përbërëse e shtetit të dobët shqiptar.
Me këtë u zyrtarizua krimi i madh i copëtimit dhe ndëshkimit të padrejtë e të pamerituar të njërit ndër kombet më të lashtë të kontinentit të vjetër - kombit shqiptar. Reth 70% e popullsisë shqiptare mbeti nën pushtimin e monarkive të ndryshme shoviniste ballkanike. Përveç gjenocidit të menjëhershëm që ndodhi me hyrjen e ushtrive pushtuese në qytetet e fshatrat shqiptare, kalvari i vuajtjeve vazhdoi edhe më vonë. Janë të shumta shënimet e gazetarëve, konsujve, klerikëve të huaj e vendorë për situatën apokaliptike që mbretëronte me kombin tonë në atë periudhë historike. Mes tjerëve, intelektuali, publicisti dhe socialisti i njohur austriak Leo Freundlich, madje përpiloi edhe një memo që e titulloi frikshëm “Golgota shqiptare - Akuzë kundër shfarosësve të popullit shqiptar”. Gjenocidi apo tentim-shfarosja e gjithë popullsisë shqiptare në vrullin e luftës së viteve 1912 - 1918 ishte në një mënyrë pararendësja e gjenocideve që më vonë do të ndodhnin në pjesë tjera të Europës. Në jug ndodhën masakrat e njëjta kundër shqiptarëve në gjithë trekëndëshin etnik shqiptar të Follorinë-Artë-Janinës. Shqiptarët e këtyre zonave që mbetën nën sundimin e huaj kanë përjetuar një tmer të pandalshëm i cili ka vazhduar dhe në disa zona vazhdon akoma në ditët tona. Masakrat dhe humbjet territoriale ishin ana tragjike, ana e zezë e nëntorit të vitit 1912.
Megjithatë, ky është edhe një vit i bardhë dhe plot dritë për kombin tonë. Më 28 nëntor 1912 Shqipëria doli shtet më vete. Për këtë, 28 nëntori është dita më e shenjtë në jetën e kombit shqiptar, në jetën e çdo shqiptari. 28 nëntori është dita e shtetformimit shqiptar. 28 nëntori 1912 trashëgoi një 28 nëntor tjetër po aq të rëndësishëm sa ky i dyti: atë të vitit 1444 të Besëlidhjes së Lezhës. 28 nëntori 1444 ishte shtetformimi i parë dhe më i dokumentuar i racës tonë. Edhe para saj, ka pasur nëntorë të tjerë e shtetformime të tjera që neve na vijnë të turbullt nga historia, si shtetformimet e Lekës së Madh, Teutës, Pirros, Progonëve, Balshajve, Shpatajve etj. Nëntori i fundit, ai i vitit 1912 nxorri një shtet i cili u njoh nga fuqitë e mëdha dhe u mbijetoi edhe furtunave të luftës së parë botërore. Më 17 dhjetor 1920 Shqipëria pranohet në Lidhjen e Kombeve, me çka del si subjekt i pranuar ndërkombëtarisht në politikën botërore. Më vonë ajo pranohet edhe në pasardhësen e Lidhjes së Kombeve, në OKB. Megjithë rëmujat e shkaktuara nga të mëdhenjtë e politikës botërore, si lufta e parë dhe e dytë botërore me gjithë implikimet e rrezikshme që këto turbullira mund të kenë për shtetet më të vegjël, shteti ynë amë, Republika e Shqipërisë, ruajti kontinuitetin dhe subjektivitetin politiko-juridik në skenën ndërkombëtare. Ajo ka qenë, është dhe do të mbetet, garant i vazhdimësisë etnike dhe kulturore të kombit shqiptar. Ne jemi me fat që kemi një shtet të pavarur dhe sovran, subjekt i së drejtës ndërkombëtare dhe i pranuar ndërkombëtarisht në periudhën 1912/1920.
Pikërisht për këtë, le të shërbejë 28 Nëntori - dita e shtetformimit shqiptar, si ditë feste dhe mobilizimi njëkohësisht, për gjithë ne që të shkojmë para drejt realizimit të interesave madhore të shtetit dhe kombit tonë. |
|