U betua paria e komunës së Prishtinës!

    Derisa po vëzhgoja kryetarin e komunës sonë tek bënte betimin, në mendje më shkonin “kodrat” e dheut në lagjen time. Këto kodra janë shkaktuar nga një projekt komunal i filluar gjatë fushatës parazgjedhore për ta gjelbëruar lagjen tonë. Por, pasi fushata përfundoi, vështirë se dikush do të kujtohet për ta rrafshuar dheun e sjellë kushedi nga ku, që paraqet një pasqyrë të keqe për lagjen. E fillova këtë shkrim me një shembull të thjeshtë, por me një praktikë të vazhdueshme të komunës, për t’i filluar dhe për t’i lënë në gjysmë projektet. Bashkë me kryetarin u betuan edhe këshilltarët komunalë. Shumë prej tyre kanë qenë edhe në mandatet e kaluara. Sot nuk më kaloi pa m’u kujtuar edhe muaji nëntor, kur shumë prej këshilltarëve që betoheshin, ose na kishin marrë në telefon, ose na kishin ndaluar rrugës për të na “porositur” për 15 nëntorin dhe numrin e tyre. Duke mos e fshehur kënaqësinë pas betimit, njëri prej tyre më tha; “Një rrogë më shumë edhe katër vjet”! Pra, kjo fjalë e përshkruan më së miri punën që e bëjnë ata. Në shumë prej seancave gjatë vitit nuk janë fare prezentë (3 ua lejon ligji!!!), ndërsa në ato që janë prezentë, jo që nuk flasin asnjë fjalë, por duken të mërzitur me diskutimet e të tjerëve. Shumica prej tyre e kanë punë shtesë; shumë prej tyre janë të përfshirë në konflikte të interesit apo thjesht kanë rënë ndesh me statutin dhe rregulloret e komunës. Roli i këshilltarëve komunalë është i rëndësishëm. Por deri më tani qytetarët nuk e kanë idenë se çka bëjnë këta këshilltarë dhe kush janë ata. Qytetarët, lagjet, vendbanimet dhe vetë qyteti do të duhej të përfitonin nga këshillat, idetë dhe puna e tyre. Por, përveç rregulloreve komunale që kryesisht iu vijnë të gatshme dhe vendimeve që bëhen më shumë për interesa të partive apo bizneseve konkrete dhe këta i votojnë, askush s’ka parë ndonjë sukses të tyre. Megjithatë shumë prej tyre janë stimuluar. Shumë prej tyre edhe përkundër atyre që u thanë, qoftë edhe për një mandat kanë përfituar banesa moderne dhe pse jo edhe leje ndërtimi apo benefite të tjera.

    Puna dhe angazhimi i këshilltarëve komunalë do të duhej të kishte rol të rëndësishëm në zhvillimin dhe modernizimin e qytetit. Një qytet me qindra probleme, me kaos në komunikacion, kaos në trafikun urban, me trotuare që nuk iu shërbejnë qytetarëve, me mbeturina të pamenaxhueshme, me hapësira publike që shfrytëzohen nga biznesi dhe ku arka publike nuk fiton asgjë, me pluhur që të shoqëron në çdo lëvizje, me reklama nga më të shfrenuarat në çdo cep dhe shumë e shumë probleme të tjera, do të duhej të kishte këshilltarë të përgatitur, punëtorë dhe seriozë. Ne jemi mësuar të kërkojmë vetëm suksese nga kryetari i komunës; realisht përgjegjës janë edhe këshilltarët e zgjedhur. Në vendet e zhvilluara këshilltarët e zgjedhur shërbejnë si avokatë të interesave të qytetarëve karshi komunës dhe anasjelltas. Kjo do të duhej të ndodhte edhe tek ne. Diskutimet me banorët në lagje dhe fshatra, tribunat informuese, zyrat përfaqësuese, mbështetja në artikulimin dhe formësimin e ankesave dhe kërkesave të qytetarëve, do të ishin vetëm disa nga veprimet që mund t’i ndërmerrnin këshilltarët komunalë për ta kryer obligimin e tyre. Ideja për të votuar gjithçka që u ofrohet, çdo vendim për dhënie në shfrytëzim të hapësirave, objekteve, pronave publike pa diskutimin paraprak me qytetarët dhe çështje të tjera që janë bërë praktikë, është e gabuar. Duhet të fuqizohet roli i këshilltarit komunal; vetëm në këtë mënyrë krijohet lidhje e qëndrueshme në mes qytetarëve dhe të zgjedhurve të tyre dhe pushtetit (komunës).

 
           
   
Nehat Bllacaku
 
5.1.2009, www.levizjaperbashkim.com
 
      (Autori është drejtor ekzekutiv në OJQ “Mileniumi i Ri” )      
© levizjaperbashkim.com