Shqipëria e anketave dhe Shqipëria e vullnetit të lirë

     (Nëse sipas anketës së “Gallup Internacional” mbi 70% e shqiptarëve deklarohet për “Shqipërinë e Madhe” atëherë për bashkimin e popullit shqiptar në një shtet do të deklaroheshin mbi 90% e tyre. Nëse shqiptarët i pyet a janë për bashkim kombëtar vetëm si dëshirë dhe vullnet e jo edhe si mundësi, ata do të deklaroheshin pothuajse qind për qind “për”. Pra mbetet vetëm që shqiptarët të punojnë për realizimin e vullnetit të tyre.)

     Ideja e bashkimi kombëtar të shqiptarëve nuk është as e re, as e panjohur. Ajo lindi që në momentin e ndarjes së padrejtë të popullit shqiptar në pesë shtete dhe mbijetoi sulme e fushata të panumërta, të hapura apo të fshehta për një kohë jashtëzakonisht të gjatë. Pengesat i kanë ardhur dhe vazhdojnë t’i vijnë në vazhdimësi nga brenda e nga jashtë. Por përkundër të gjithave kjo ide nuk u shua kurrë. Kjo ndodh sepse ajo është pjesë e pandashme e ndjenjës së fortë të përkatësisë së përbashkët kombëtare të shqiptarëve, që tejkalon dukshëm kufijtë e shtetit të sotëm shqiptar, ndjenjë kjo që mbijetoi shekuj dhe arriti deri në ditët tona.
     U investua dhe po investohet shumë që kjo ide të paraqitet si e vjetruar, demode, “e panevojshme në kohën e humbjes së rëndësisë së kufijve në Evropën e shekullit të 21-të”, e deri te “rrezikshmëria e saj”, sepse po e rrezikuaka paqen dhe stabilitetin rajonal, thuajse ne shqiptarët duhet të jemi ata mbi shpatullat e të cilëve duhet të rëndojë barra e ruajtjes së këtij stabiliteti, pa e marrë parasysh faktin se ky stabilitet nënkupton vazhdimin e copëtimit të ekonomisë sonë dhe të gjithë potencialeve tona në pesë shtete, që d.m.th. pjesëtimi me pesë i çdo mundësie tonë për zhvillim në raport me fqinjët tanë.
Prandaj ne nuk kemi pse të frikësohemi dhe duhet t’i themi JO! kësaj pikëpamjeje të ruajtjes së këtij stabiliteti të brishtë në llogari të dëmtimit të interesave tona kombëtare. Ne duhet të angazhohemi për arritjen e atij stabiliteti që do të ishte rezultat i shprehjes së vullnetit të lirë politik të shqiptarëve për vetëvendosje (aty ku kanë vazhdimësi territoriale, ku janë popullatë e vetme apo shumicë dërrmuese dhe kompaktësi shtrirjeje banimi), se në cilin shtet duan të jetojnë. Dhe vetëm kështu do të ketë stabilitet të njëmendtë. Por që ky vullnet të vijë në shprehje vërtet lirshëm, deklarimi për këtë çështje nuk duhet të nxitet në bazë tendencioze në stilin: “A jeni në favor të krijimit të Shqipërisë së Madhe?”. Gogoli “Shqipëria e Madhe” nuk paraqitet pa qëllim para të deklaruarve të mundshëm shqiptarë ndaj kësaj çështjeje. Nëse dikush ka për qëllim që të ndikojë paraprakisht në rezultatin e këtij deklarimi (qoftë kjo edhe për qëllime të ndryshme studimi në këtë temë) duke ndrydhur vullnetin e lirë të shqiptarëve që në start, s’ka mënyrë më të lehtë sesa ta paraqitësh atë si një ide ekstreme, përpjekja për realizimin e së cilës është e kobshme (sjell fatkeqësi të madhe). “Shqipëria e Madhe” menjëherë të ngjall asociacion në luftëra, në konflikte të reja dhe në pushtime të tokave të popujve fqinj rreth nesh. Dhe natyrisht kjo nuk është Shqipëria të cilën ne e dëshirojmë. Kjo është Shqipëria të cilën dëshirojnë të na e imponojnë ata që po të ishin pyetur as Republikë të Shqipërisë siç e kemi sot nuk do të ekzistonte.
     Prandaj as shifrat e deklarimit të shqiptarëve në raport me mundësinë e krijimit të “Shqipërisë së Madhe” në një të ardhme të afërt të dhëna nga Gallup Ballkan Monitor këto ditë nuk më duken reale. Shqipëria e vullnetit të lirë të shqiptarëve – Shqipëria e bashkuar është thellë e rrënjosur në ndërgjegjen kombëtare të shqiptarëve dhe kjo ndërgjegje tejkalon bindshëm edhe 70% të mbështetjes nga ana e shqiptarëve që dha këto ditë anketa e Gallupit.
     Kjo anketë jo pa dashje u përqendrua në togfjalëshin “Shqipëri e Madhe”, term ky i prodhuar nga qarqet të cilat gjithmonë kanë mbajtur nën pushtim tokat shqiptare dhe çdo tendence që ka shkuar në drejtim të deklarimit të lirë politik të popullit shqiptar u janë përgjigjur me këtë “argument”. Por mos po tregon kjo matje e pulsit të opinionit shqiptar për tendencën që është vënë re drejt një bashkimi kombëtar të shqiptarëve në të ardhmen? Është e qartë që kjo po ndihet dhe atë në masë të madhe nga poshtë, nga rritja e madhe në vitet e fundit të kontakteve ndërnjerëzore të pjesëve të ndara të kombit shqiptar.
     Rezultatet e anketimit tregojnë se përkundër përpjekjeve të pareshtura që nga 1999 e këtej nga qarqe politike të brendshme dhe të jashtme që ndaj kësaj ideje të krijohet një distancë dhe ftohje graduale në opinionin shqiptar, ajo, ndonëse pa përkrahjen institucionale, sa vjen e po del në sipërfaqe. Sado që formulimi i pyetjes u bë në formë jokorrekte, rezultatet janë më se të kënaqshme. Ato tregojnë se ata që angazhohen për bashkimin kombëtar të shqiptarëve kanë terren të pasur për ta shfrytëzuar situatën në drejtim të institucionalizimit të kërkesës për bashkim, e cila po u shtrua në formë të mundësisë për deklarim të lirë të popullit shqiptar për bashkim, s’ka asnjë dyshim se do të marrë një mbështetje të plotë gjithëpopullore e cila do të dominonte bindshëm, sigurisht shumë përtej 70%-shit të deklaruar.

 
           
   
Driton Avdiu
 
4.2.2010, www.levizjaperbashkim.com
 
             
© levizjaperbashkim.com