| |
 |
|
Largimi shqiptarëve të Luginës dhe Maqedonisë-pasojë e politikës diskriminuese dhe mjerimit social
Gjeostrategjia e PMB-së dhe Rrafshit të Kumanovës
Lugina e Preshevës (PMB) së bashku me Komunën e Likovës dhe rrafshin e Kumanovës deri në fshatin Haraçinë të Shkupit janë vendbanime me shumicë shqiptare që kanë një pozitë mjaft të rëndësishme politike e gjeostrategjike, si për shkak të korridorit të 10-të, por edhe për shkak të pozitës së saj që lidh perëndimin me lindjen. Jo rastësisht për këtë rajon janë zhvilluar beteja të rëndësishme për mbizotërimin e tyre. Sundimi i tyre nga serbët dhe sllavo-maqedonasit u ka sjellë interesa nacionale, si dhe përfitime të mëdha materiale. Beteja për sundim përfundimtar të kësaj hapësire shqiptare ende nuk ka mbaruar, por përpjekjet janë në vazhdimësi e sipër.
Në fokus të kësaj beteje janë edhe zhvillimet e fundit në këto vendbanime shqiptare, sidomos me largimin masiv të banorëve të tyre nëpër shtetet e Evropës perëndimore për të kërkuar “azil”, apo strehim të përhershëm. Që nga 19 dhjetori i vitit 2009, me fillimin e procesit të liberalizmit të vizave ndaj Serbisë dhe Maqedonisë, nga vendbanimet shqiptare të Luginës së Preshevës, Likovës, Kumanovës dhe qyteteve tjera të Maqedonisë për në shtetet e Evropës perëndimore deri më tani janë larguar rreth 200.000 banorë të saj, kryesisht shqiptarë. Pas eksodit të madh të shqiptarëve nga Toplica, Nishi dhe Vranja në perudhën 1878 - 1913, ky i tanishmi - në vitin 2010! - është eksodi më i madh që po i ndodh këtij populli.
Tani shtrohet pyetja: pse vërtet po largohen shqiptarët e Luginës dhe Maqedonisë nga trojet e tyre të lashta? Cilat janë shkaqet kryesore që këta njerëz kaq lehtë t’i lënë familjet e tyre, shtëpitë, tokën, varret e të parëve dhe gjithçka tjetër vetëm të ikin dhe shkojnë në “tokën e premtuar” për një jetë më të mirë? Cilët janë fajtorët kryesorë për varfërinë, papunësinë, paperspektivën, pasigurinë dhe gjendjen e tyre të mjerë sociale? Çfarë do të ndodhë nesër me Shqipërinë dhe Kosovën, nëse vjen deri te liberalizimi i vizave? A do të zbrazen edhe këto troje, edhe pse janë shtete, njëra gati për 100 vjet, ndërsa tjetra dy vjet përpjekje të formësimit të saj? A është fajtore edhe vetë Evropa për një gjendje të tillë? Në llogari të kujt shkon kjo situatë? Këto janë vetëm disa pyetje që do të shqyrtohen në këtë analizë.
Numri i banorëve të PMB-s- dhe Rrafshit të Kumanovës
Lugina e Preshevës (PMB) në regjistrimin e vitit 1991 ka pasur rreth 107.000 banorë, ndërsa në vitit 2002 rreth 77.000 banorë shqiptarë. Sipas UNHCR-së, gjatë luftës së Kosovës në vitin 1999 këto treva i kishin braktisur rreth 30.000 banorë, kryesisht shqiptarë, të cilët kurrë nuk janë kthyer. Ndërsa tani, nga dhjetori i vitit 2009, këto vendbanime i kanë braktisur edhe 10.000 banorë të saj. Presheva kishte rreth 45.000 banorë; prej tyre 41.850 shqiptarë, pra rreth 93 për qind, ndërsa 7000 janë serbë, romë etj, të cilët përbëjnë rreth 7 për qind. Bujanoci ka rreth 50.000 banorë; prej tyre 31.000 shqiptarë, rreth 62 për qind, ndërsa të tjerët janë serbë, romë etj. Medvegja kishte rreth 15.000 banorë; prej tyre kanë qenë 4.800 shqiptarë, apo rreth 32 për qind, ndërsa 10.000 janë serbë, romë etj. Kumanova ka rreth 77.000 banorë; prej tyre 47.743 sllavo-maqedonas (62,60%), 18.278 shqiptarë (23,96%), 5.230 serbë (6,86%) dhe 4.056 romë (5,32%). Kurse Komuna e Likovës ka 27.058 banorë; prej tyre 97 për qind shqiptarë, 1,4 për qind serbë, 0,6 sllavo-maqedonas dhe 0,6 për qind të tjerë. Kjo është një komunë e re e themeluar pas vitit 1990 dhe përfshin 22 fshatrat shqiptare në kufi me Luginën e Preshevës. Supozohet se vetëm nga këto treva deri më tani janë larguar rreth 40 mijë shqiptarë, ndërsa nga trevat tjera, sidomos të Maqedonisë perëndimore janë larguar rreth 160.000 qytetarë të saj. Këtë numër së fundi e kishte konfirmuar edhe vetë MUP-i i Maqedonisë.
Diskriminimi politik dhe mjerimi social
Ky eksod masiv i popullatës shqiptare nga trevat e tyre të vjetra bëhet për shumë shkaqe, ndërsa kryesoret janë: diskriminimi politik, pasiguria, varfëria, papunësia, dhe paperspektiva për të ardhmen e tyre. Dihet se Lugina e Preshevës ishte zona më e prapambetur në ish-Jugosllavi dhe Beogradi për 50 vjet nuk kishte bërë ndonjë investim serioz në këtë rajon. Mbi 80 për qind e popullatës shqiptare të Luginës merret kryesisht me bujqësi dhe nuk ka kurrfarë të ardhurash tjera nga shteti. Pak fabrika që ishin ndërtuar në kohën e komunizmit më shumë ishin punëtori politike sesa fabrika prodhimi. Aty punësoheshin më shumë serbë dhe të tjerë, bile kishte raste kur këta punëtorë barteshin me autobusë nga Vranja e Kumanova për të punuar në Preshevë e Bujanoc. Kishte një diskriminim të hapur ndaj popullatës shumicë. Tani një pjesë e njerëzve të Luginës jetojnë dhe punojnë nëpër Evropë dhe Amerikë dhe nga atje mbajnë familjet e tyre. Ky është burimi kryesor i jetesës së tyre. Pas vitit 1990 edhe ato pak fabrika që ishin u shkatërruan plotësisht dhe nuk punon asnjë firmë shtetërore. Mbi 60 për qind e popullatës së Luginës janë të papunë, ndërsa të rinjve që shkollohen kryesisht në Kosovë nuk iu njihen diplomat e këtij shteti dhe mbesin në rrugë. Ata nuk shohin asnjë perspektivë për të ardhmen e tyre dhe për këtë shkak janë të detyruar ta braktisin vendin e tyre. Gjithashtu, faktori i pasigurisë së popullatës shqiptare, sidomos me militarizimin e rajonit dhe trysnisë xhandaresko-policore, atëherë kjo edhe më shumë po e nxit largimin e tyre. Beogradi në Luginë ka stacionuar rreth 1500 pjesëtarë të ushtrisë, xhandarmërisë dhe policisë serbe, ndërsa vetëm në Boroc të Bujanocit ka ndërtuar bazën ushtarake për 1000 pjesëtarë elitë të xhandarmërisë serbe. Beogradi përmes militarizmit të rajonit dëshiron t’i shpopullojë këto vendbanime dhe t’i popullojë ato me serbë. Qeveria serbe duke mos investuar në këtë rajon ka për qëllim krijimin e mjerimin social të shqiptarëve (që deri diku e ka arritur), në mënyrë që të mos kenë të ardhme të mirë për jetën e tyre. Njëzet vitet e fundit këtë politikë kishte arritur ta realizojë në Medvegjë, tani dëshiron në Bujanoc, ndërsa Preshevën dëshiron ta shndërrojë në zonë të izoluar, për hesape të manipulimit politik. Planet e Beogradit janë permanente kundër popullsisë shqiptare, dhe pa dyshim është fajtori kryesor për gjendjen e rëndë të kësaj popullate.
Gjithashtu edhe në Komunën e Likovës dhe të Kumanovës shqiptarët për një kohë ishin të diskriminuar dhe të lënë në varfëri të madhe. Sllavo-maqedonasit për një kohë të gjatë kishin ushtruar trysni shtetërore, sidomos kundër shkollimit të tyre dhe zhvillimit ekonomik. Deri në vitet 90-të nuk kishin as shkollim të mesëm dhe këta bënin eksperimente me njëfarë shkollimi të përzier, e cila më vonë kishte për pasojë reagimin e popullatës, por edhe burgosjen e shumë shqiptarëve të këtij rajoni. Në Kumanovë gjendja ekonomike ishte pak më e zbutur, sepse kishte disa fabrika dhe një ekonomi relativisht të zhvilluar, ndërsa në Likovë popullata e saj merrej kryesisht me bujqësi dhe kishte një jetë të rëndë. Pas luftës së vitit 2001 shpresat ishin të mëdha për një zhvillim më të madh të shqiptarëve, por Qeveria e Shkupit ka bërë shumë pak, sidomos në zhvillimin e tyre ekonomik, hapjen e vendeve të reja të punës dhe zbutjen e mjerimit social. Kjo Qeveri më shumë po merret me projekte njënacionale, sidomos me Projektin e Shkupit të Ri ku jetojnë kryesisht sllavo-maqedonasit dhe haptas bën diskriminimin e qytetarëve të saj. Aty ku jetojnë sllavo-maqedonas me shumicë ka investime dhe punë, ndërsa aty ku jetojnë shqiptarët me shumicë nuk ka investime dhe punë. Popullata shqiptare vetëm me forcat e veta ka arritur t’i krijojë disa biznese të rëndësishme në këtë vend, por jo në formë të kënaqshme dhe të duhur. Për këtë shkak, ky shtet është fajtori kryesor për gjendjen e vështirë të popullatës shqiptare në këtë shtet dhe duhet t’i bartë të gjitha përgjegjësitë për largimin masiv të tyre nga vendet e tyre për në vendet evropiane.
Përgjegjësia e liderëve politikë
Por jo vetëm Beogradi dhe Shkupi janë të vetmit fajtorë për krizën që ka popullata shqiptare e këtyre vendeve, kësaj gjendjeje bukur mirë i kanë “kontribuar” edhe udhëheqësit tyre politik, të cilët ka një kohë të gjatë nuk po merren me problemet konkrete të qytetarëve të vet, por vetëm më shumë po merren me interesat e tyre personale dhe grupeve të interesit. Si mund të shpjegohet fakti që shqiptarët e Maqedonisë janë në Qeveri dhe shumë pak kanë punuar për zgjidhjen e problemeve të popullatës së saj. Hiq projektet e infrastrukturës, të cilat më shumë ishin projekte të Bashkësisë ndërkombëtare sesa të Qeverisë së Shkupit, në segmentet tjera është punuar shumë pak, të mos thuhet aspak. Në Kumanovë dhe Likovë të gjitha fabrikat e mëhershme janë mbyllur ose shitur, ndërsa fabrika të reja nuk ka. Papunësia ka shënuar rritje të madhe, ndërsa dukuritë negative si droga, alkooli, prostitucioni, etj. kanë marrë zhvillim të madh. Jeta e të rinjve është vështirësuar shumë, sepse shteti nuk ka krijuar politika adekuate zhvillimore dhe të punësimit të tyre. Kjo Qeveri më shumë merret me retorikë nacionaliste sesa me zhvillimin e projekteve në dobi të qytetarëve të saj. Pra, përfundimisht shqiptarët nuk janë të barabartë në këtë shtet dhe për këtë arsye po i vuajnë pasojat e tij.
Pastaj, si është e mundur që në qendër të Preshevës vijnë autobusë të shumtë për të bartur njerëz jashtë vendit, ndërsa politikanët e saj të mos e alarmojnë botën për gjendjen e vështirë të tyre? A kanë ndonjë projekt konkret këta politikanë, si për zbutjen e varfërisë, punësimin e tyre, apo zgjidhjen e ndonjë problemi tjetër? Dihet politika diskriminuese e Beogradit karshi Luginës, por cili është Plani i liderëve të Luginës në zgjidhjen problemeve të qytetarëve të saj? Deri më tani nuk kemi parë ndonjë plan që ia vlen të përmendet, përveç deklaratave patriotike dhe shterpe, kuptohet për llogari të grupeve të tyre të interesit.
Në Luginën e Preshevës shpresat ishin të mëdha sidomos pas konfliktit të vitit 2001, se do ta kenë një jetë më të mirë, por Qeveria e Beogradit përveç premtimeve boshe që kishte dhënë se do të realizojë projekte të ndryshme në përmirësimin e jetës së popullatës shqiptare, asgjë më shumë nuk kishte bërë. Po, investime në baza ushtarake, xhandarmëri dhe polici, por jo në infrastrukturë dhe ekonomi. Ky shtet kishte shkuar aq larg sa që kur një shtetas i saj i përkatësisë shqiptare nga Bujanoci deshi ta blinte një fabrikë në Vladiçin Han, kishte reaguar Qeveria serbe dhe e kishte ndaluar që ky shqiptar ta fitonte tenderin e kësaj kompanie, edhe pse i kishte kushtet më të mira sesa konkurrentët tjerë. Si të shpjegohet kjo punë? Për çfarë shteti demokratik dhe tregu të lirë mund të flitet në këtë vend? Në Ndërmarrjet Publike në Bujanoc ka të punësuar 1437 punëtorë, prej tyre 1390 serbë, ndërsa vetëm 47 shqiptarë. Në gjykata dhe prokurori ka 61 serbë dhe vetëm 18 shqiptarë, ndërsa në kadastër dhe hekurudhë ka 10 serbë dhe asnjë shqiptar. Në Preshevë në Polici ka të punësuar 119 shqiptarë dhe 99 serbë, në Bujanoc 105 shqiptarë dhe 189 serbë, kurse në Medvegjë 7 shqiptarë dhe 128 serbë. Edhe këto pak punësime që janë bërë kanë karakter diskriminues në krahasim me numrin e popullatës shqiptare që jeton në Luginë. Këto shifra tregojnë se sa të barabartë janë shqiptarët në këtë rajon. Përveç realizimit të projektit të policisë multietnike në Luginë, e që ishte kontribut i OSBE-së, asnjë projekt tjetër nuk ishte realizuar. Liderët politikë deri më tani nuk janë treguar sa duhet të përgjegjshëm për gjendjen e popullit të vet, andaj një pjesë të fajit e bartin në supet e tyre dhe janë fajtorë të drejtpërdrejtë për largimin e tyre nëpër vendet tjera. Këta liderë duhet ta ndërrojnë strategjinë e veprimit dhe më shumë të merren me hallet e popullatës, ndoshta sa nuk është bërë vonë, sepse nëse zbrazet rajoni, këta nuk do të kenë me kë të merren në të ardhmen!
Përgjegjësia e Brukselit, Tiranës dhe Prishtinës
Përgjegjësisë së këtij problemi nuk mund t’i shmanget as Brukseli, as Tirana dhe as Prishtina, të cilat si qendra të rëndësishme të vendosjes për këto treva shqiptare nuk e kanë ndihmuar sa duhet popullatën e këtij rajoni. Bile Brukseli është fajtor i madh që e ka mbështetur politikën diskriminuese të Beogradit dhe Shkupit ndaj popullsisë shqiptare dhe të moszgjidhjes së problemeve të tyre jetësore. Brukseli në të kaluarën kishte ndarë fonde për Beogradin dhe Shkupin që të investojnë në jetën e qytetarëve të këtyre vendeve, por për fat të keq këto fonde janë keqpërdorur nga këto qeveri, duke u fokusuar kryesisht në projekte militare dhe policore. Shkupi krejt ndihmën e Brukselit e ka orientuar në projekte njënacionale, duke e anashkaluar jetën e shqiptarëve. Largimi i rreth 200 mijë njerëzve, kryesisht për në Belgjikë dhe shtetet perëndimore u kishte ardhur si bumerang, sidomos Brukselit, i cili me një politikë miope ndaj Ballkanit, përkatësisht shqiptarëve, tani po përballet me pasojat, për të cilat vetë kishin kontribuar. Në Ballkan nuk mund të ketë paqe dhe qetësi po nuk u ndihmuan shqiptarët dhe po nuk u zgjidh problemi i tyre. Këtë duhet ta kuptojnë liderët evropianë dhe më gjerë. Ky rast le të shërbejë si mësim i mirë për politikën e Brukselit se çdo kamuflim i problemit bart pasoja të mëdha në të ardhmen. Andaj, zgjidhja më e mirë e këtij problemi do të ishte trysnia e BE-ja ndaj këtyre shteteve që shqiptarët të trajtohen të barabartë në këto vende dhe të kenë zhvillim të duhur ekonomik, politik, arsimor dhe të përgjithshëm.
Ndërsa sa i përket Tiranës dhe Prishtinës, ato kanë bërë pak për Luginën, por edhe për shqiptarët e Maqedonisë; sidomos në aspektin ekonomik nuk ka asnjë investim në Luginë, apo Maqedoni e cila vlen të përmendet. Tirana zyrtare më shumë po brengoset për komunën e Graçanicës dhe ka ndarë rreth 600 mijë euro, ndërsa nuk ka ndarë asnjë cent për ndonjë projekt në Luginë, apo Maqedoni. Ky shtet po sillet sikur këta banorë jenë nga Ruanda, e jo bashkëkombës të tij. Kushtetuta e Shqipërisë i detyron këta liderë që t’i mbrojnë bashkëkombësit e tyre në të gjitha vendet ku jetojnë ata, ndërsa këta politikanë nuk e respektojnë as Kushtetutën e tyre. Politika e Tiranës është një politikë shterpe dhe aspak aktive dhe për këtë arsye shfaqen këto fenomene të papritura.
Tani, kur Brukseli duhet të ballafaqohet me liberalizimin e vizave për Kosovën dhe Shqipërinë, çfarë do të ndodhë me qytetarët e këtyre vendeve? A do të ikin edhe këta me shumicë jashtë vendit? Kjo do të jetë një sfidë e radhës, nëse Brukseli, Tirana dhe Prishtina nuk hartojnë ndonjë plan të përbashkët për ndihmë financiare, investime të ngutshme në ekonomi, zbutjen e papunësisë dhe zbutjen e mjerimit social, atëherë pasojat do të jenë shumë më të mëdha. Andaj Brukseli, apo BE-ja, duhet fokusuar si prioritet gjendjen në Ballkan, jo në kthimin e tyre duke angazhuar autobusë falas dhe me deklarata demagogjike të burokratëve të Brukselit, sidomos karshi problemit shqiptar, por ta marrin seriozisht këtë problem dhe ta shtrojnë haptas zgjidhjen e drejtë të çështjes së tyre, por edhe të ndihmës financiare dhe investimeve ekonomike. Shqiptarëve të këtyre vendeve duhet t’iu mundësohet të qasen drejtpërsëdrejti në të gjitha mekanizmat e Bashkësisë Evropiane dhe të ndihen të barabartë, si të gjithë qytetarët tjerë të Ballkanit dhe Evropës. Ndryshe, sfidat do të jenë të paparashikueshme.
(Autori është sociolog dhe publicist i pavarur) |
|