|
|
Intervistë për Agjencinë Informative "Shqipëria e Bashkuar.Org" 25.2.2008
FLET AVNI KLINAKU, KRYETAR I LËVIZJES PËR BASHKIM (LB)
Intervistoi: Tahir VELIU
Shqipëria e Bashkuar.Org: Z. Klinaku, për fillim a mund të na thoni diçka rreth Lëvizjes për Bashkim?
Avni KLINAKU: Lëvizja për Bashkim është organizatë politike e cila përpiqet për zgjidhjen e çështje së pazgjidhur shqiptare. Ajo është formuar më 20 korrik 2007 nga njerëz të cilët kanë qenë të pakënaqur me rrjedhën e situatës politike në mbarë trojet shqiptare.
Shqipëria e Bashkuar.Org: A mendoni që me shpalljen e pavarësisë së Kosovës, çështja e Kosovës përfundon me kaq apo...?
Avni KLINAKU: Së pari më duhet ta theksoj në mënyrë të veçantë se çështja e Kosovës është vetëm një pjesë e çështjes së pazgjidhur shqiptare dhe çfarëdo zgjidhjeje që t’i bëhet kësaj çështjeje në qoftë se ajo nuk bëhet në përputhje me interesat e shumicës së popullsisë, pra të popullit shqiptar, nuk përbën zgjidhje përfundimtare. Pastaj, edhe si e tillë, pra si çështje e Kosovës, zgjidhja që i është ofruar asaj as për së afërmi nuk i përmbush kërkesat e ligjshme të popullit shqiptar. Të gjithë jemi të vetëdijshëm se pavarësia e Kosovës është e kushtëzuar drejtpërdrejt nga Pakoja e Artisarit. Sipas kësaj pakoje, populli shqiptar nuk konsiderohet fare si komb dhe rrjedhimisht i mohohet sovraniteti mbi territorin e tij; i mohohet në mënyrë eksplicite ushtrimi i së drejtës së kombeve për vetëvendosje; si komunitet shumicë (posi!) është i ndrydhur nga komuniteti pakicë. Pastaj, mbetet e pazgjidhur çështja e pjesës veriore të Kosovës, ashtu siç mbetet e pazgjidhur çështja e Preshevës, Bujanovcit e Medvegjës...
Shqipëria e Bashkuar.Org: Çka duhet bërë lidhur me problemin e Mitrovicës dhe enklavave serbe, ku siç e dini edhe vetë, atje nuk valon flamuri shqiptar apo ai i Kosovës, por flamuri serb dhe pakica serbe nuk i respekton ligjet e Kosovës, por ato të Serbisë?
Avni KLINAKU: Zgjidhja që i është bërë “çështjes së Kosovës” është një zgjidhje koniunkturale, është një zgjidhje e cila më tepër paraqet përplasjet, koniunkturat dhe interesat ndërkombëtare, sesa interesat e popullsisë së saj. Në këto rrethana të gjithë sikur i kemi duart të lidhura të bëjmë më tepër në lidhje me çështjen e veriut të Kosovës. Serbët e veriut të Kosovës mbrohen dhe do të mbrohen edhe në të ardhmen nga forcat ndërkombëtare, pra nga ata që e kanë projektuar zgjidhjen e tanishme në njërën anë, dhe nga forcat serbe në anën tjetër. Njëkohësisht, duke e dobësuar apo duke e pamundësuar mbrojtjen vetanake të Kosovës nga Serbia, Kosova mbetet vazhdimisht e varur nga po këto forca. Në këto rrethana, mundësi për të ndikuar në zgjidhjen e kësaj situate është faktorizimi dhe insititucionalizimi i çështjes shqiptare në tërësinë e saj dhe shtrimi i drejtë dhe për zgjidhje të plotë të çështjeve kombëtare në Ballkan. Përndryshe, falë politikës sonë të deritanishme, çështja e veriut të Kosovës është mjaft e rrezikuar.
Shqipëria e Bashkuar.Org: Cili është qëllimi kryesor i krijimit të Lëvizjes për Bashkim?
Avni KLINAKU: Qëllimi kryesor i Lëvizjes për Bashkim është bashkimi i popullit shqiptar dhe territoreve ku ai përbën shumicën e popullsisë në një shtet të vetëm.
Shqipëria e Bashkuar.Org: Ju, siç edhe e dini Fronti për Bashkim Kombëtar Shqiptar e ka të njëjtin qëllim sikurse edhe disa organizata tjera. Çka ju dallon juve ? Pse nuk jeni bërë pjesë e ndonjë prej lëvizjeve që kanë si qëllim bashkimin kombëtar?
Avni KLINAKU: Edhe FBKSH-në edhe organizatat e tjera që ju i përmendni ne i kemi studiuar me kujdesin maksimal dhe përkundër qëllimeve të njëjta – bashkimit kombëtar, ne kemi parë koncepte thelbësisht të ndryshme në mënyrën e realizimit të këtij qëllimi. Këto koncepte për ne kanë qenë të patejkalueshme dhe kemi vendosur për krijimin e Lëvizjes për Bashkim. Mirëpo, këto dallime mendoj se nuk duhet të paraqesin pengesë për bashkëveprim dhe bashkërendim të punëve, e sidomos nuk duhet të paraqesin pengesë për diskutime e debate në lidhje me këto çështje. Vetëm kështu mendoj se mund të piqet mendimi politik në lidhje me çështjen që po e diskutojmë apo edhe me çështjet në përgjithësi.
Shqipëria e Bashkuar.Org: Si mendoni të arrini deri te bashkimi kombëtar shqiptar?
Avni KLINAKU: Për të arritur deri te bashkimi kombëtar mendoj se çështja më e rëndësishme është që kjo çështje të shtrohet drejt për zgjidhje dhe ajo të shtrohet në tërësinë e saj, pastaj të zgjidhen mjetet e duhura për ta imponuar zgjidhjen e kësaj çështjeje. Mendoj se këtyre dy çështjeve ne u kemi dhënë përgjigjen e duhur dhe i kemi sanksionuar në programin tonë, të cilin lexuesit tuaj e kanë parë.
Shqipëria e Bashkuar.Org: A është LB-ja e gatshme të përdorë edhe mjetet jo diplomatike për ta arritur bashkimin kombëtar?
Avni KLINAKU: Gjithsesi. Lëvizja për Bashkim e ka të sanksionuar edhe në program se në fazën e parë të veprimtarisë së saj për institucionalizimin e kërkesës për bashkim kombëtar do të përdorë edhe mjetet institucionale, edhe mjetet jashtinstitucionale.
Shqipëria e Bashkuar.Org: Lëvizja për Bashkim a është lëvizje që vepron vetëm në Kosovë apo edhe në trojet e tjera shqiptare?
Avni KLINAKU: Lëvizja për Bashkim është organizatë legale dhe veprimtarinë organizative e shtrin vetëm në Kosovë, por njëkohësisht zhvillon një politikë gjithëkombëtare.
Shqipëria e Bashkuar.Org: Kur mendoni që do të arrihet çlirimi dhe bashkimi kombëtar?
Avni KLINAKU: Çështja e çlirimit dhe e bashkimit kombëtar nuk mund të matet me kohë. Ai matet me punën tonë, me organizimin tonë, me mobilizimin tonë si komb. Sa më të organizuar që të jemi, aq më afër çlirimit të plotë dhe bashkimit kombëtar do të jemi.
Shqipëria e Bashkuar.Org: Cili është mesazhi juaj për lexuesit tanë?
Avni KLINAKU: Si për lexuesit tuaj, ashtu edhe për të gjithë shqiptarët mesazhi im do të ishte: ta kuptojmë përfundimisht se vetëm uniteti rreth një politike të drejtë paraqet forcën e vërtetë të kombit.
Shqipëria e Bashkuar.Org: Z. Klinaku, ju faleminderit për intervistë dhe ju dëshirojmë suksese në arritjen e qëllimeve të LB-së!
Avni KLINAKU: Ju faleminderit edhe juve!
|
|