Intervistë me kryetarin e Lëvizjes për Bashkim për revistën "Hapi/Korak".
Intervistën e zhvilloi Serbeze Haxhiaj.
Ardhmëria nën Serbi – “ardhmëri” e robit
Çështja e popullit shqiptar të Preshevës, Bujanocit e Medvegjës sipas Avni Klinakut mund të zgjidhet më së miri përmes së drejtës së kombeve për vetëvendosje deri në shkëputje dhe në këtë drejtim Lëvizja për Bashkim do të përpiqet që kjo e drejtë të shkojë në përputhje me vullnetin e popullit shqiptar të kësaj treve për bashkim me trungun shqiptar
Hapi: Cili është këndvështrimi i juaj për çështjen e Luginës së Preshevës?
Avni KLINAKU: Tri komunat të banuara me shqiptarë - Presheva, Bujanoci e Medvegja, të mbetura nën pushtim janë pasojë e drejtpërdrejtë e kolonializmit serb. Këto tri komuna i janë shkëputur trungut shqiptar pa dëshirën dhe vullnetin e popullsisë vendase dhe asnjëherë gjatë historisë e as sot nuk është pyetur vullneti i kësaj popullsie. Përkundrazi, populli shqiptar i këtyre komunave i është nënshtruar një represioni të vazhdueshëm nga pushtuesit serbë qoftë për ta asimiluar, qoftë për ta shpërngulur nga trojet e veta stërgjyshore. Vetëdija e lartë kombëtare e popullsisë së kësaj treve e shndërruar në rezistencë konkrete ka qenë faktori kryesor që nuk ka lejuar tjetërsimin e këtij territori. Ky represion dhe kjo rezistencë, në forma të ndryshme, po vazhdon edhe në ditët e sotme.
Pra, shqiptarët e Preshevës, Bujanocit e Medvegjës mbetën akoma të pushtuar nga shteti serb dhe nuk iu njihet e drejta e kombeve për vetëvendosje, edhe pse janë pjesë e pashkëputur e trungut etnik shqiptar, edhe pse i kanë të gjitha karakteristikat e kombit, qoftë për nga gjuha, qoftë për nga kultura, qoftë për nga formimi shpirtëror e psikik, pastaj vazhdimësia ekonomike e territoriale.
Hapi: Sipas jush ku duhet që ta ndërtojë të ardhmen Lugina e Preshevës kah duhet të orientohet përpjekja e tyre për t'u integruar?
Avni KLINAKU: Historia e deritashme ka treguar se popullsisë shqiptare të kësaj treve asnjë e mirë nuk i ka ardhur nga shteti serb, gjë që është edhe e kuptueshme. Përndryshe, kjo popullsi i është nënshtruar shtypjes së egër kombëtare e shfrytëzimit të pamëshirshëm ekonomik. Gjendja e rëndë sociale, gjendja e rëndë dhe mungesa e institucioneve arsimore e shëndetësore, militarizimi serb i kësaj treve, shpërnguljet e vazhdueshme sidomos nga Medvegja e Bujanoci e rëndojnë edhe më tepër situatën e popullit shqiptar të këtyre komunave. E ardhmja e këtij populli në kuadrin e shtetit serb është “ardhmëri”e robit. Populli shqiptar i Preshevës, Bujanocit e Medvegjës do të ketë të ardhmen e vet vetëm pas bashkimit me Kosovën.
Hapi: Çfarë është duke bërë Kosova apo çfarë mund të bëjë Kosova për Luginën e Preshevës?
Avni KLINAKU: Në qoftë se mendoni për institucionet e Kosovë dhe forcat aktuale që e dominojnë skenën politike të Kosovës, ato jo vetëm që nuk kanë bërë asgjë për çështjen e pazgjidhur të Preshevës, Bujanocit e Medvegjës, por edhe e kanë dëmtuar rëndë. Kujtojeni këtu qëndrimin absurd të këtyre forcave politike se populli i kësaj treve na qenka minoritet dhe do të sqarohet çdo gjë. Krejt kjo bie ndesh me realitetin, por edhe me angazhimet e pakursyera historike të kësaj treve në luftën e përgjithshme për çlirim kombëtar, qoftë në historinë e mëhershme qoftë në angazhimet në veprimtarinë ilegale, qoftë në luftën e fundit në Kosovë e Maqedoni, qoftë në sakrificën e bërë gjatë fazës së shpalljes së pavarësisë së Kosovës etj.
Kosova mund dhe duhet të bëjë shumë për vëllezërit e saj në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, por e para që duhet ta bëjë është të mos e trajtojë popullin shqiptar të kësaj treve si minoritet kur realiteti tregon katërçipërisht sa ai është pjesë e ndarë e kombit shqiptar. Në përputhje me këtë qëndrim, i cili duhet të deklarohet hapur dhe zëshëm, duhet të ndërmerren të gjitha veprimet tjera politike.
Hapi: A po angazhohen kosovarët që në të ardhmen Presheva të bashkohet me Kosovën apo të ndërrohet me veriun?
Avni KLINAKU: Populli shqiptar i Kosovës ashtu si edhe populli shqiptar i Preshevës, Bujanocit e Medvegjës (kujtojeni referendumin për bashkim me Kosovën) ka qenë dhe mbetet i interesuar që të zgjidhet çështja e kësaj popullsie. Politika e deritashme e Kosovës si edhe e partive politike të Luginës, si një politikë servile e nënshtruese, ka shkuar në kundërshtim me interesat e vërteta të popullit shqiptar. Para disa ditësh dëgjova deklaratën e Riza Halimit se tani e tutje duhet ndjekur një politikë të krahasimit të popullit shqiptar të kësaj treve me pakicën serbe në Kosovë. Ky është një gabim tjetër shumë i madh. Në qoftë se duhet të bëhet krahasimi ai nuk guxon të bëhet me pakicën serbe në Kosovë, por vetëm me veriun e Kosovës si dy çështje të pazgjidhura të kontestit shqiptaro-serb.
Sa i përket ndërrimit të veriut të Kosovës me tri komunat të banuara me shqiptar (çështje që po pëshpëritet) në kuptimin e shkëmbimit të territoreve ne jemi kategorikisht kundër, sepse kjo mund dhe duhet të bëhet vetëm mbi bazën e vullnetit të këtyre popujve dhe në asnjë mënyrë në formën e pazarllëqeve me territore. Pra, ne jemi për zbatimin e parimeve të njëjta në të dy rastet.
Hapi: Cili është vizioni juaj mbi këtë çështje deri më tani dhe ky vizion a shkon me tepër me atë që keni theksuar deri me tani për bashkim kombëtar?
Avni KLINAKU: Mendoj se çështja e popullit shqiptar të Preshevës, Bujanocit e Medvegjës zgjidhet më së miri përmes së drejtës së kombeve për vetëvendosje deri në shkëputje dhe në këtë drejtim Lëvizja për Bashkim do të përpiqet që kjo e drejtë të shkojë në përputhje me vullnetin e popullit shqiptar të kësaj treve për bashkim me trungun shqiptar – Kosovën-Shqipërinë. Por, ne jemi të vetëdijshëm se një e drejtë e tillë i takon edhe popullit serb në veri të Kosovës. Për një zgjidhje të tillë, e cila do të ndihmonte në qetësimin e rajonit, tani për tani janë kundër edhe faktorët relevantë ndërkombëtarë edhe pushtuesi serb, e edhe politike aktuale e Kosovës, prandaj ne do të insistojmë në politikën e balancimit të të drejtave të serbëve në veri të Kosovës me të drejtat e shqiptarëve në lindje të Kosovës. Kjo politikë reciprociteti do të çojë pashmangshëm drejt vetëvendosjes së të dy popujve dhe zgjidhjes përfundimtare të problemit shqiptaro-serb.
P. S. Revista njëmujore “Hapi/Korak” është një revistë dygjuhësore (shqip dhe serbisht) e cila botohet në Vranjë (Serbi).
levizjaperbashkim.com 8.11.2008 |