.
 
     
   
     
 
 
English

PROGRAMI POLITIK I LËVIZJES PËR BASHKIM (LB)

     Lëvizja për Bashkim (LB) është organizatë politike, e cila përpiqet për zgjidhjen e çështjes së pazgjidhur shqiptare.

     QËLLIMET E ORGANIZATËS

     Duke pasur parasysh:

     - se populli shqiptar kundër vullnetit të tij jeton i copëtuar në disa shtete dhe si pasojë çështja shqiptare mbetet e pazgjidhur, madje ajo ende nuk është shtruar drejt për zgjidhje;

     - se populli shqiptar i cili jeton në Kosovë nuk e ushtron sovranitetin në territorin e vet dhe nuk i njihet e drejta e kombeve për vetëvendosje. Prandaj, Kosova edhe pas shpalljes së pavarësisë sipas Pakos së Ahtisarit mbetet pjesë e pazgjidhur e çështjes shqiptare;

     - se trojet shqiptare nën Maqedoni, Serbi dhe Mal të Zi janë nën pushtim klasik dhe si rrjedhojë çlirimi i tyre nuk mund të bëhet përmes institucioneve të ndërtuara nga pushtuesit;

     - se vetëm si i bashkuar në një shtet të vetëm, populli shqiptar mund t’i shfrytëzojë të gjitha potencialet e veta në funksion të zhvillimit ekonomik, politik e kulturor;

     - se vetëm me zgjidhjen e drejtë dhe të plotë të çështjes shqiptare populli shqiptar bëhet faktor i paqes dhe partner i barabartë në integrimet dhe zhvillimet evropiane dhe botërore

si dhe, duke pasur parasysh të drejtën e ligjshme dhe të patjetërsueshme të kombeve  për të jetuar të lirë dhe të bashkuar, në përputhje me të drejtën e  kombeve për vetëvendosje:

     LB-ja përpiqet për bashkimin e popullit shqiptar në një shtet të vetëm, sovran, të lirë e demokratik.

     Krahas qëllimit kryesor, – bashkimit kombëtar, - dhe detyrave rreth shtrirjes së politikës së saj, LB-ja do të jetë aktive në trajtimin e çështjeve të përditshme të qytetarit, duke u përpjekur për zgjidhjen e tyre, por gjithmonë në përputhje dhe në funksion të qëllimit kryesor.

     DOMOSDOSHMËRIA E EKZISTENCES

     Duke qenë se:

     -   mungon një subjekt politik i cili e shtron drejt për zgjidhje çështjen e pazgjidhur shqiptare;

     - faktorët ndërkombëtarë në çështjen e pazgjidhur shqiptare në radhë të parë i shohin interesat e veta, prandaj nuk duhet pritur që të tjerët ta zgjidhin drejt çështjen tonë:

     LB-ja konsideron se për ta realizuar populli shqiptar qëllimin e vet ka nevojë për një politikë gjithëkombëtare të aftë për ta shtruar për zgjidhje dhe për ta zgjidhur drejt çështjen kombëtare. Zgjidhja e drejtë e çështjes kombëtare shqiptare, në radhë të parë, është nevojë jetike e zhvillimit të kombit shqiptar si i barabartë me të me të tjerët dhe, në radhë të dytë, krijon paqe të qëndrueshme në Ballkan e më gjerë.

     MJETET DHE METODAT

     Në përputhje me zhvillimin e saj politik e organizativ dhe në përputhje me rrethanat, LB-ja shtron detyra të nevojshme për jetësimin e qëllimit themelor të saj. Natyra e detyrave përcakton edhe natyrën e mjeteve dhe metodave.

     LB-ja, si organizatë legale, do t’i përdorë të gjitha mjetet e luftës institucionale dhe jashtinstitucionale.

     LB-ja është kundër terrorizmit si metodë lufte për realizimin e qëllimeve politike.

     LB-ja është kundër nxitjes së urrejtjes raciale, kombëtare dhe fetare.

     PARIME

     LB-ja e konsideron popullin faktor kryesor për çlirim dhe bashkim kombëtar. Çdo përpjekje që e nënçmon faktorin e brendshëm duke e mbiçmuar faktorin e jashtëm, LB-ja e quan të gabuar e të dëmshëm.

     LB-ja nuk e injoron faktorin e jashtëm, por konsideron se faktori i jashtëm mund të jetë në funksion të faktorit të brendshëm.

     LB-ja e përkrah luftën e drejtë të popujve për liri dhe është kundër çdo shtypjeje të popujve, çdo kolonializmi dhe neokolonializmi.

     LB-ja është kundër racizmit dhe çdo ideologjie që nxit përçarje midis popujve si dhe ndarje mbi baza fetare.

     BESIME

     Aspirata e popullit shqiptar për të jetuar i lirë dhe i bashkuar ka mbetur e pavdekshme përkundër përpjekjeve të pareshtura të pushtuesve për ta mbytur atë.

     Një popull i organizuar mirë rreth një koncepti të drejtë politik e i vendosur në qëllimin e tij, i gjen rrethanat e favorshme ndërkombëtare dhe i realizon aspiratat e tij.

     Procesi i natyrshëm dhe i pandalshëm i zhvillimit dhe integrimit të kombit shqiptar i lehtëson përpjekjet për realizimin e suksesshëm të bashkimit kombëtar.

*     *     *

     Ky është programi politik i LB-së, i cili, me kalimin e kohës, me ndryshimin e rrethanave, mund të ndryshojë, por duke mbetur gjithmonë program i bashkimit kombëtar.

 
       
© levizjaperbashkim.com